Nafta pa akcizë, fermerët e Lushnjes: Më shumë nismë për fushatë sesa ndihmë për ne

Me date 13 tetor kryeministri Edi Rama prezantoi skemën e re naftë pa akcizë për të gjithë fermerët.

Fermerët do të përfitojnë litra nafte sipas hektarëve dhe kulturave bujqësore që ata kultivojnë.

Për fermerët e Lushnjes jo vetëm që sasia e naftës është e pakët, por hedhin dyshime për realizimin e kësaj skeme.

"Nuk dihet nëse do të bjerë në dorë të gjithë fermerëve. Ja do ta marrin, por unë nuk kam zetor. Pjesa dërmuese e fermerëve janë pa mjet."

Ata shprehen se një nismë e tillë në prag të zgjedhjeve është më shumë fushatë sesa ndihmë për ta.

"E parealizueshme, duhet të ishte bërë me kohë. Në prag të zgjedhjeve duket më shumë për fushatë se për fermerin."

Kultivuesit e kulturave të ndryshme bujqësore, thonë se ata përballen edhe me probleme të tjera veç naftës, ndaj duhet një plan më i gjerë që ata të përfitojnë realisht.

"Fermeri ka nevojë për shumë gjëra përveç 100 litrave naftë, ka nevojë për sistemin kullues, të vaditjes që e kanë nisur dhe lënë përgjysmë."

Sipas qeverisë të gjithë fermerët që duan të përfitojnë naftë pa akcizë duhet të aplikojnë deri me datën 25 shkurt me NIPT.