Dy shpërthimet e mistershme në Lezhë, vijojnë hetimet, ende nuk dihet se nga erdhën
Dy shpërthime të fuqishme janë ndjerë në zonën e Lezhës rreth orës 19:40 dhe 19:41 minuta. Shpërthimet janë ndjerë në Ishull Shëngjin dhe Ishull Lezhe por ende nuk ka njoftim zyrtar nga policia.
Nga ana e saj policia është vënë në alarm por nuk ka identifikuar se ku ka ndodhur shperthimi.
Zhurma e krijuar ka qenë shumë e fuqishme sa është ndjerë në të gjithë zonën, raporton gazetari i Ora News.
"Po hanim bukë kur dëgjuam goditjen e parë. Më pas u dëgjua dhe një goditje tjetër çështje sekondash. Dolëm jashtë banesës nga frika. Ishin shumë të forta, tha një banor për gazetarët.
Policia e Lezhës gjatë gjithë natës ka ushtruar kontrolle në zonat rurale dhe urbane, por nuk ka mundur të gjejë diçka në vendngjarje, ndonjë telefonatë apo persona të lënduar.
Sipas banorëve, mendohet se shpërthimi ka ardhur nga deti, por kjo mbetet për tu verifikuar.
Hetimet vijojnë ende, ndërkohë që fillimisht u dyshua për ndonjë lëvizje avioni në afërsi të tokës, por kjo është përgënjeshtruar pasi sipas autoriteteve ajrore, nuk ka pasur lëvizje avioni në atë orë.
Për momentin gjithçka mbetet e mistershme.