"BOOM": Bashkia e Tiranës ‘ndan’ familjen pas tërmetit, 4 pjesëtarë në shtëpi, 3 në çadër

Besnik Aluku është banor i Kasharit. Shtëpia e tij u dëmtua rëndë në tërmetin e shtatorit  2019 dhe u bë e pabanueshme.

Nga afër dëmtimet e  tërmetit në familjen Aluku i pa vetë kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. 

Besnik Aluku: Mu prish shtëpia dhe jetova në çadër. Erdhi kryeministri dhe Veliaj dhe panë dëmtimet e shtëpisë.   Shtëpia ishte 2 katëshe. Jetoja unë gruaja dhe djali i martuar në një kat. Ndërsa në katin lart jetonte djali tjetër me nusen dhe fëmijen. Më pas Bashkia më ndërtoi një shtëpi. 

Por çfarë ka ndodhur pas rindërtimit të shtëpisë . Pse sot zoti Aluku është drejtuar tek emisioni "BOOM"?

Besnik Aluku: Te kjo shtëpi kemi qenë 2 kurora të ndara, unë me njërin djalë në një certifikatë familjare dhe djali tjetër i martuar me bashkëshorten. Shtëpia që na u ndërtua është 60 metra vetëm për 4 persona. Unë jetoj me njërin djalë të martuar  këtu, ndërsa djali tjetër me nusen ka mbetur në çadër. Ia  thashë kryetarit të bashkisë kur ishte këtu që kam edhe  djalin pa shtëpi, më tha që atij do ti ndërtohet më vonë. Por tani djali nuk merr as bonus qiraje dhe thonë që nuk përfiton shtëpi dhe ka mbetur në çadër. I kërkoj kryetarit të bashkisë vetëm të mbajë fjalën që më ka thënë asgjë më tepër. 

Pra shtëpia që ju rindërtua ishte vetëm për 4 persona ndërsa  3 pjesëtarë të shtëpisë, djali, nusja e djalit dhe fëmija i tyre mbetën në çadër.

Ja çfarë thotë nusja e djalit.

"Kemi ngelur në çadër, mu ftoh fëmija në këto kushte. Shkoj të aplikoj për shtëpi dhe më thonë se nuk të takon. As bonus qiraje nuk më japin, kam kaq shumë muaj që e kërkoj dhe kam bërë kërkesa pafund në njësinë administrative të Kasharit dhe në Bashki. Nuk më kthejnë përgjigje". 

Pra nga një familje me 7 anëtarë, 4 u futën në shtëpinë e re  dhe 3 mbetën jashtë në çadër.  

Gazetarja e "BOOM" ishte  në Njësinë Administrative të Kasharit për të pyetur se përse nuk përfiton nga programi i rindërtimit kjo familje.

"Ne e kemi çuar dosjen e  kësaj familje  në Bashki sepse zonja ka aplikuar por Bashkia na e ka kthyer dosjen mbrapsht për mungesë dokumentacioni" thonë nga njësia e Kasharit.  

Pra edhe pse kryetari i Bashkisë i ka premtuar Besnikut që shtëpia e djalit  do të rindërtohet, Bashkia e ka skualifikuar dosjen .