PD prezanton Spahon në Korçë, Salianji: PD merr 6 mandate, do luftojmë për të shtatin

Demokratët e Korçës do t’i drejtojë në zgjedhjet e 25 prillit Edmond Spaho. Ai është prezantuar këtë të martë (19 janar) si drejtues i këtij qarku.

Vetëm një ditë më parë Spaho u konifmua zyrtarisht  nga kreu i PD, Lulzim Basha.

Gjatë prezantimit Spaho ka bërë të qartë objektivin e tij, në drejtimin politik të qarkut të Korçës.

"Puna që do të bëjmë deri në 25 prill do të na garantojë objektivin për të dalë forcë e parë politike në qarkun e Korçës dhe nesër qeverisja të jetë e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj."

Por, edhe pse Spaho u rezervua të thoshte numra mandatesh, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili ishte prezent në takim, tha se objektiv i PD-së janë 6 mandate, por edhe më shumë.

"Për të bërë të mundur  atë që tanimë është në çdo sondazh dhe çdo takim që ne bëjmë, që qarku i Korçës të ketë gjashtë mandate për Partinë Demokratike sëpaku dhe do të luftohet për mandatin e shtatë".

Qarku i Korçës ka gjithsej 11 mandate, dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2017, PS fitoi 6 të tillë, PD 4 dhe LSI 1.