PR prezanton kandidatët në Shkodër
Aktivi i Partisë Republikane në Shkodër ka prezantuar listën me kandidatët për zgjedhjet e ardhshme të 25 Prillit.
Gjatë këtij takimi, me strukturat e partisë kryetari Fatmir Mediu i dha një vëmendje të veçantë edhe historisë politike 30 vjeçare te Partisë Republikane dhe aleancës me Partinë Demokratike.
"Nga krijimi i Partisë Republikane dhe deri më sot, ne kemi qenë dhe jemi aleatë, bashkë-udhëtarë dhe bashkë-kontribues me Partinë Demokratike dhe forcat e djathta. Kemi qenë së bashku në opozitë, në qeverisje, Parlament, kemi qenë bashkë me ju në protesta, kundër krimit dhe korrupsionit, kundër së majtës," u shpreh Mediu.
Duke renditur përgjegjësitë e përbashkëta politike në rrugën drejt integrimit të vendit në BE , Mediu shprehu falenderimet e tij për ish kryeministrin Berisha duke e konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në kohën e qeverisjes së tij si një sukses te jashtëzakonshëm.
"Kemi pasur përgjegjësi të përbashkëta politike, kemi punuar së bashku për t`a bërë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Evropian, ashtu siç kemi punuar së bashku dhe e bëmë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, dhe unë dua të falënderoj këtu në mënyrë të veçantë, liderin e së djathtës shqiptare, ish kryeministrin e Shqipërisë dhe ish Presidentin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha," shtoi ai.
Në mbyllje te këtij takimi Mediu tha se kërkesa e vetme ndaj PD është lënia pas e disa kritereve për të gjithë partitë që janë në koalicion, pasi vetëm me kritere të barabarta, ndërtohet një raport i drejtë për një fitore te opozitës.