Vuçiç: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë një kërcënim për Europën dhe të gjithë botën
Deklarata e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për mundësinë e bashkimit të Kosovës në një Shqipëri të Madhe, është pritur me reagime në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përsëriti të martën se ideja rrezikon të kthehet në realitet nëse Haradinaj do të zgjidhej këtë vit president, siç edhe ka ambicien, dhe nëse Vetëvendosja e Albin Kurtit do të merrte qeverinë në muajin shkurt, siç edhe tregojnë sondazhet.
"Ramush Haradinaj është një politikan i rrezikshëm dhe serioz. Ata të bëjnë ç'të duan, por ne do e kemi një përgjigje të mirë dhe adekuate. Qytetarët tanë të mos shqetësohen," deklaroi Vuçiç.
Haradinaj e bëri deklaratën teksa prezantoi programin dhe ekipin elektoral të partisë së tij, "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës", për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai fajësoi autoritetet europiane se po e mbajnë pezull progresin e vendit, të izoluar dhe nuk po i japin zgjidhje konkrete konfliktit të ngrirë Kosovë-Serbi.
Në konferencën për shtyp, kryeshtetari serb tha se Prishtinën e presin veprime të befta nga pala tjetër nëse i shmanget marrëveshjeve të arritura deri tani në Bruksel apo në Uashington.
"Siç është për ta Kosova shtet i pavarur, edhe për ne ajo është pjesë e Serbisë, veçanërisht për shkak të kujdesit për popullin serb që jeton atje dhe që e perceptojnë Kosovën si territorin e tyre."
"Ne do të jemi në gjendje të reagojmë ndaj kësaj. Unë nuk po kërcënoj askënd, por krijimi i një Shqipërie të Madhe është një kërcënim për Serbinë dhe rajonin dhe për Europën dhe botën" shtoi Vuçiç.
Vuçiç tha se kishin plan të vaksinonin serbët në Kosovë kundër koronavirusit, por nga rreziku se vaksinat mund të shkatërroheshin nga autoritetet vendore, ato janë tërhequr.
Presidenti serb shtoi se nuk do ta kishte problem të ndihmonte edhe Shqipërinë me vaksinat antikovid, nëse do ishte e nevojshme.