Gjermania përshëndet rinisjen e bisedimeve Athinë-Ankara për gazin
Bashkimi Europian dhe Gjermania veçanërisht përshëndetën rifillimin e dialogut midis Turqisë dhe Greqisë për Mesdheun Lindor. Nga Ankaraja ku ndodhej për vizitë, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, e quajti rifillimin e dialogut mënyrën më të mirë për të nisur vitin.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, përshëndeti të hënën "sinjalet pozitive" të lëshuara nga Turqia në lidhje me zbulimin e gazit në Mesdheun Lindor, gjatë vizitës së tij në Ankara.
Tensionet midis Bashkimit Europian dhe Turqisë arritën një nivel të ri vitin e kaluar, pasi Ankaraja dërgoi vazhdimisht anije zbuluese në ujërat e kontestuara, duke zëmëruar jo vetëm bllokun në tërësi, por veçanërisht Greqinë dhe Qipron.
Por javët e fundit Turqia e ka tërhequr anijen, Oruc Reis, ndërsa Brukseli nuk i zbatoi sanksionet e paralajmëruara që në nëntor.
Nga ana tjetër, Turqia dhe Greqia kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime teknike në Stamboll më 25 janar, duke rifilluar kështu dialogun për delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike, i ndërprerë që në vitin 2016.
"Tani fokusi duhet të përqendrohet tek dalja nga gjendja e vështirë që u krijua vitin e kaluar, kjo është një mënyrë e mirë për të filluar vitin. Jemi të kënaqur që po filloni diskutimet me Greqinë mbi zbulimet në Mesdheun Lindor," tha ministri Maas.
"Ka një atmosferë pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE. Pavarësisht se konkluzionet e Këshillit të dhjetorit nuk na kënaqën, ne kapëm sinjalet pozitive dhe ndërmorëm hapa pozitivë," tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.
Gjermania ishte kryesuesja e Këshillit të BE-së vitin e kaluar dhe sjellja e Turqisë e vuri në një pozitë të vështirë për të ruajtur balancën midis Greqisë dhe Turqisë.