Fitorja e Kurtit nuk mjafton! Gazetari: Nëse nuk sigurohen 80 deputetë për Presidentin, Kosova sërish në zgjedhje
Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Vetëvendosje dhe Albin Kurti do të jenë fitues të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Por interesi është te numri i votave dhe ulëseve në Kuvend që të do të sigurojë.
Gazetari, Fidan Rama, në një lidhje me skype nga Prishtina thotë se fitorja e Kurtit nuk mjafton dhe se nëse nuk arrihet të sigurohet konsensusi për Presidentin vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të reja në verë.
Rama: Ka qenë e pritshme sidomos pas zgjedhjeve të fundit. Kurti e provokoi me qëllim prishjen e koalicionit në mars të vitit të kaluar, kur sapo kishim hyrë në pandemi. Ky provokim vetëm e ka forcuar Kurtin drejt rritjes së pushtetit. Asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovën e pas luftës që të flitet me kaq siguri që subjekti që do ta fitojë garën është VV. Por mbetet të shihet numri i votave dhe numri i ulëseve në Kuvend. Nuk zgjidhet gjithçka me fitoren. Duket e vështirë të mos llogaritet për një partner koalicioni. Nuk është vetëm qeveria por edhe Presidenti. 5 Maji është afati i fundit. Nëse nuk sigurojmë 80 vota, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje në qershor apo korrik.
Duke komentuar arrestimin e Kryebashkiakut të Ulqinit për shkak të punësimeve partiake, gazetari e sheh si goditjen e parë të pushtetit të ri ndaj pushtetit të vjetër por është i bindur që nuk do të shkojë në struktura të larta drejtuese.
Rama: E shoh si një përpjekje të pushtetit të ri që të tregojë forcën për veprimet e pushtetit të së kaluarës. Në Mal të Zi ka qenë një situatë që është menaxhuar për më shumë se 30 vite nga një drejtim politik. Është goditja e parë që pushteti i ri dëshiron të tregojë që jo rastësisht i kanë fituar këto zgjedhje dhe jo rastësisht janë në pushtet. Nuk pres që të vazhdojnë për struktura të tjera të larta në Mal të Zi.
Por Rama thotë se klientelizimi dhe punësimet partiake janë një fenomen që i gjen kudo në Ballkan, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Rama: Nëse flasim për punësimet partiake, në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe gjithandej në rajon është gjëja më e theksuar e mundshme. Klientelizmi është ajo që partitë politike, sidomos në Kosovë, i ka mbajtur gjatë në pushtet. Kur jemi në prag të zgjedhjeve të reja, me 14 shkurt, ka një theksim mes asaj që njerëzit presin të ndodhë ndryshimi që është Lëvizja Vetëvendosje dhe ato subjekte që e kanë menaxhuar ose e kanë qeverisur Kosovën 20 vitet e fundit. Këto të fundit janë fokusuar në mbrojtjen e votës që në masë të madhe vjen nga ky klientelizëm. Ky segment për PDK, LDK, AAK dhe Nismën do të jetë mjaft i theksuar sepse po tentojnë të ruajnë votën krahasuar me VV që po shihet pa konkurrencë në këtë garë.
Intervista në studio me Matilda Mcinin, përgatiti Besjana Kuçana