Kosovë, KQZ verifikon kandidatët, pritet vendimi për Albin Kurtin

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë nisma qytetare. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1.079, njoftoi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se listat e kandidatëve për deputetë do të dërgohen për verifikim në gjashtë institucione brenda 18 janarit.

KQZ-ja do të dërgojë kërkesë për verifikim nëse kandidatët janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe këtë kërkesë do ta dërgojë në gjashtë institucione: në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në Ministri të Punëve të Brendshme, në Agjenci të Kosovës për Inteligjencë, në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes”, tha Elezi, duke shtuar se presin që nga këto institucione të marrin përgjigje deri më 20 janar.

KQZ-ja tha vetëm se verifikimi do të bëhet mbi bazën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 dhjetor si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, pa iu referuar drejtpërdrejt rastit të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ndaj tij ka dyshime se për shkak të një dënimi me kusht do t’i ndalohet kandidimi. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepra penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.