Si do të votojnë personat me Covid-19 në Zgjedhjet e Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Kosovë ka bërë përgatitjet për të mundësuar që edhe personat të cilët janë në izolim, pasi janë të infektuar me Covid-19, të kryejnë  obligimin e tyre qytetar dhe të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi gjatë një interviste ka thënë se ekipet do të kujdesen që ditën e zgjedhjeve t'i mundësohet votimi edhe personave të infektuar me virus.

“KQZ-ja është munduar që të gjej një zgjidhje edhe për qytetarët që fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19, dhe nuk mund të shkojnë në vendvotimet. Në zgjedhjet që u mbajtën në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut, KQZ-ja ka përgatitur një udhëzim ku bëhet mënyra e regjistrimit, verifikimit dhe votimin e personave që janë të infektuar me COVID-19”, tha Elezi.

Ekipet do të shkojnë nëpër adresat e personave që janë në izolim për t'i mundësuar atyre votimin.

“Ne do të komunikojmë me institucionet përkatëse që i kanë listat e personave që janë të infektuar me COVID-19 dhe e kanë të drejtën e votës. KQZ-ja do t’i kontaktojë këta qytetarë për t’i informuar për shërbimin e KQZ-së, pastaj është në vullnetin e tyre të marrë pjesë ose jo. KQZ-ja do të dërgojë ekipe mobile te personat të cilët shprehin vullnetin për të votuar nëpër adresat e tyre, për tu mundësuar votimin”, tregoi Elezi për Telegrafin.

Ai shtoi se procesi i verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës po shkon mjaft mirë dhe sqaroi se i kanë bërë publik numrat e telefonit, për të shmangur keqkuptimet.