Asnjë gjurmë që prej 7 janarit, detaje të reja nga zhdukja e ish-arbitrit italian
Policia shqiptare ka nisur hetimet në lidhje me zhdukjen në Shqipëri të ish-arbitrit dhe sipërmarrësit italian Davide Pecorelli, nga i cili nuk ka asnjë gjurmë që prej datës 6 janar 2021.
Biznesmeni italian, 45 vjeç, kishte ardhur në Shqipëri për një udhëtim në disa zona të vendit ku po shikonte mundësinë e zhvillimit të bizneseve por makina e tij e marrë me qira në aeroport është gjetur e djegur me disa sende personale brenda.
Sipas policisë, automjeti u gjet plotësisht i djegur natën midis 7 dhe 8 janarit në zonën e Pukës, në veri të Shqipërisë, në një zonë malore.
Burimet e policisë lokale thonë se, për rastin hetimet po vazhdojnë pa përjashtuar asnjë postë.
Bashkë me policinë shqiptare në hetimin e rastit është përfshirë edhe interpoli, i cili ka thënë se është vërtetuar zbritja e 45 vjeçarit në aeroportin e Rinasit në ditët e para janarit.
Nga ana tjetër hetuesit po analizojnë ADN-në e gjetur ne sendet brenda makinës Skoda Fabia të cilën i zhdukuri e kishte marrë me qira.
Mediat italiane shkruajnë se ka qenë partneri i Pecorellit, një shtetas shqiptar që ditët e fundit ka dorëzuar disa sende personale të sipërmarrësit në polici.
"Nuk e di nëse Davide ka shkelur në interesat e dikujt", mësohet të ketë thënë bashkëshortja e 45 vjeçarit në polici.
Nga ana tjetër mësohet se kohët e fundit Pecorelli ka vizituar Shqipërinë për t'u kujdesur për disa biznese, që kishin të bënin me tregtimin e lazerëve për qendrat e bukurisë dhe produktet e flokëve.
Sipas mediave italiane lazerët janë makineri veçanërisht të shtrenjta dhe, me sa duket, Pecorelli po negocionte shitjen e tyre tek klientët ende të paidentifikuar.
Pecorelli është i njohur edhe si arbitër futbolli në Serie C si gjyqtar i katërt në Serie A. Ai kishte investuar në Shqipëri, ndërsa në Itali zotëronte një hotel dhe disa parukeri.
Sipërmarrësi italian, para rreth një viti, kishte hapur biznesin e tij edhe në Tiranë. Ai është i martuar me një shqiptare, me të cilën ka edhe një fëlmijë.
Lexo edhe:
Asnjë lajm prej 10 ditësh, ende enigmë fati i biznesmenit italian i zhdukur në Shqipëri