Ditëlindja e "Mandelës shqiptare", Basha: Le ta nderojmë sot Pjetër Arbnorin, plejadë e rrallë politikanësh
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kujton ditëlindjen e ish kryeparlamentarit Pjetër Arbnori.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryedemokrati vlerëson figurën e "Mandelës shqiptare" duke e cilësuar si plejadë e rrallë politikanësh që nuk bënë kurrë kompromis me të keqen.
"Le ta nderojmë sot Pjetër Arbnorin, gjurmët e pashlyera të tij në historinë e Shqipërisë me urimin dhe shpresën se vlerat që ai solli në politikën shqiptare do të trashëgohen dhe nga brezat e rinj të politikës", shkruan ndër të tjera Basha.
Mesazhi i Lulzim Bashës:
"Dua të kujtoj sot me nderim të veçantë ditëlindjen e Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, përkthyesit dhe humanistit të madh që kaloi 28 vite të rinisë së tij në burgjet famëkeqe të komunizmit. Pjetër Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë, të cilët nuk bënë kurrë kompromis me të keqen, që nuk u epën para presioneve apo privilegjeve. Që deri ditën e fundit luftuan dhe u përpoqën për idealet e tyre pavarësisht vështirësive të kohës.
Siç thoshte vetë Mandela i Ballkanit, qëndresën ja kishte edukuar familja, shkolla, leximet dhe eksperienca e gjatë e miqve të burgut politik. Frika, zilia dhe tundimi për privilegje, sipas tij ishin rrugët që na bashkojnë me të keqen. Dhe gjatë gjithë jetës së tij, në rini si desident e më vonë si deputet dhe drejtues i parlamentit, Pjetër Arbnori i tejkaloi me sukses këto sfida, duke u shndërruar në politikanin model ku mllefi dhe hakmarrja për kundërshtarin politik nuk gjeti kurrë vend.
Le ta nderojmë sot Pjetër Arbnorin, gjurmët e pashlyera të tij në historinë e Shqipërisë me urimin dhe shpresën se vlerat që ai solli në politikën shqiptare do të trashëgohen dhe nga brezat e rinj të politikës".
Pjetër Arbnori lindi në Durrës më 18 janar 1935, në gjirin e një familjeje shkodrane me prejardhje nga Shiroka.
Më 1962 u arrestua i akuzuar se kish dashur të formonte një parti social-demokrate, gjë për të cilën u dënua me 25 vjet burgim. Pas tetëmbëdhjetë viteve burgim e ridënuan me 10 vite të tjera burgim.
Në gusht të vitit 1989 Pjetër Arbnori u lirua nga burgu. Arbnori kaloi 28 vjet në burgun e Burrelit. Ai u arrestua në moshën 26 vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç.
Në janar të 1990 ai mori pjesë në Shkodër në demostratën kundër pushtetit komunist që rrëzoi bustin e Stalinit. Po në të njëjtin vit ai ishte bashkthemelues i degës së Partisë Demokratike në Shkodër.
Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte Kryetar i Kuvendit.
Pjetër Arbnori vdiq më 8 korrik 2006 në Napoli, Itali ku kishte shkuar pas një hemorragjie celebrale. Ai ishte i martuar dhe la dy fëmijë. Partia Demikoratike, që kishte ardhur në pushtet në këtë kohë, e nderoi atë duke zhvilluar një ceremoni zyrtare shtetërore.
/a.r,OraNews