Kurbin, kapet i riu i kërkuar për 613 kg kanabis në 2020


Dy persona kanë rënë në pranga në Tiranë dhe në Lezhë me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike

Një 53 vjeçar u arrestua në Tiranë me akuzën se ka shpërndarë lëndë narkotike ndërkohë që gjatë operacionit policia ka sekuestruar edhe një sasi lënde të dyshuar kanabis sativa.

Policia tha se bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se 53-vjeçari me iniciale J.L, merrej me shitjen e lëndëve narkotike, është bërë ndjekja e tij po lëvizte me mjet nga Peshkopia në drejtim të Tiranës.

I dyshuari është vënë në pranga në flagrancë gjatë operacionit të koduar me emrin "Itinerari" ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte ky shtetas, në vendin e quajtur "Ura e Institutit", shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 14 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa.

Ndërkaq në Kurbin policia ka vënë në pranga shtetasin Bajram Zela, 25 vjeç, i kërkuar në kuadër të operacionit të koduar me emrin "Godull" që parandaloi trafikimin drejt Italisë në mars 2020 të një sasie të madhe kanabisi.

Policia tha se ky shtetas ishte shpallur në kërkim në muajin mars 2020, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale " Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim.

Zela akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit S. Z. dhe R. S. (të cilët janë ndaluar gjatë operacionit "Godull", ), në mars 2020, në fshatin Godull, Kurbin, kanë tentuar të trafikojnë me gomone, 613 kg lëndë narkotike kannabis sativa.