Athinë: Vrasësi i shqiptarit dyshohet një nga Lezha, shkak borxhi 600 euro

Një shtetas shqiptar, nga qyteti i Lezhës, i njohur me emrin Soni dyshohet se është autori i vrasjes së 54-vjeçarit Edmond Llangozi pak ditë më parë në Greqi.

Motivi i vrasjes së shqiptarit nga bashkatdhetari e tij, është bërë për një borxh prej 600 eurosh që një prej djemve të viktimës i kishte agresorit.

Ky i fundit së bashku me 5 persona të tjerë kishin shkuar në një prej lokaleve në zonën e Agios Sostis për të marrë borxhin tek familja Llangozi.

Aty dy palët janë konfliktuar verbalisht, ndërsa situata ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Autori i dyshuar ka shkrepur pistoletën drejt djalit që kishte marrë borxhin, por para armës ka dalë 54-vjeçari i cili mori 4 plumba, njëri prej të cilëve i goditi në zemër.

Si pasojë e ngjarjes mbetën të plagosur dhe dy djemtë djemtë Anxhelo dhe Mihal Llangozi të cilët pas ndihmës mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas daljes nga spitali, me kokën e lidhur me një fashë për shkak të goditjes nga një plumb në pjesën e pasme të kokës,  djali 27-vjeçar tha se gjithçka ka ndodhur për një borxh, që vëllai i tij kishte marrë në Athinë.

I riu është shprehur për mediat dhe policinë se borxhi nuk ishte i lartë, por se autorët, me të cilët kishte lënë takim ai me të vëllain, kanë dashur të zgjidhin situatën me armë, pasi sipas tij çdo gjë nisi me tension dhe se situata degradoi. Nga ngjarja e rëndë mbeti e plagosur me pistoletë dhe kamarierja e lokalit, e cila është jashtë rrezikut.

Për hetuesit kanë dhënë deklarime dhe dëshmitarët të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë sherrit dhe më pas vrasjes së burrit nga shqipëria.

Njëri nga dëshmitarët ka thënë për mediat greke se 53-vjeçari shqiptar ishte banor i zonës dhe familja e tij nuk ka qenë asnjëherë problematike.

“Dëgjova të shtënat. Dola jashtë dhe shkova në vendngjarje. Pashë viktimën, e njoh personalisht sepse është banor i lagjes, janë familje shumë e mirë. Gruaja e tij po qante nga ballkoni sipër. Shkova brenda lokalit dhe pashë djalin. Hyra brenda, i fola dhe i mbajta kokën. Më pas erdhi policia dhe u largova”, ka thënë njëri nga banorët e zonës.

Viktima 54-vjeçar jetonte dhe punonte prej 30 vitesh në Greqi, ndërsa punonte në një fabrikë. Edmond Llangozi njihej si njeri i qetë dhe pa problem, ndërsa kishte krijuar dhe besueshmëri tek pronarët e fabrikës me të cilët bashkëpunonte prej vitesh.