Ekskluzive/Ora News zbardh dëshminë e magazinierit të spitalit të Kavajës: Bombolat i dhashë për humanizëm, pasi….

Ora News zbardh ekskluzivisht dëshminë e magazinierit të spitalit të Kavajës, Mensur Shtylla, i arrestuar nga policia për vjedhjen e bombolave të oksigjenit në spital.

Para grupit hetimor, Mensur Shtylla, ka treguar se: “…kam rreth 16 muaj që punoj në spitalin e Kavajës me detyrë oksigjenist. Kam marë bombola nga spitali dhe i kam dhënë banorëve të ndryshëm të Kavajës, për shkak të nevojave që kanë pasur, pasi si qytetar i Kavajës kisha njohje me ta. Unë kam vepruar vetë, kam pasur kopje çelësi dhe nuk kam bashkëpunuar me ndonjë person tjetër dhe nuk kam njoftuar eprorët e mi për këto veprime që kam kryer. Gjithçka e kam bërë për humanizëm”.

Prokuroria e Kavajës ka ngritur një akuzë të re ndaj magazinierit të spitalit të këtij qyteti, i cili një ditë më parë u arrestua me akuzën e abuzimit me bombolat e oksigjenit të cilat ua dërgonte privatisht në shtëpi të prekurve nga Covid kundrejt pagesës.

Policia e referoi dosjen ndaj Mensur Shtyllës për veprën penale “shpërdorim detyre”, por prokuroria i ka vlerësuar veprimet e tij si “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Gjatë verifikimeve  është konstatuar se ai duke shfrytëzuar pozicionin e tij si magazinier në spitalin e Kavajës, vidhte prej andej bombola me oksigjen dhe më pas i shiste ato tek familjarë të pacientëve që ishin të prekur me Covid-19.

Një veprimtari e tillë është kryer në një periudhë ende të papërcaktuar, ku magazinieri rezulton të ketë nxjerë nga depoja e spitalit 30 copë bombola oksigjeni.

Vetëm në oborrin e banesës së babait të Mensur Shtyllës, policia gjeti dhe sekuestroi 19 copë bombola oksigjeni.

Ndërsa pjesën tjetër e konstatoi në oborret e banesave të disa personave që janë prekur nga virusi pandemik Covid-19.

Skandali fillimisht është zbuluar nga vetë Drejtoresha e spitalit Kavajë, e cila ka pasur mangësi fizike të bombolave të oksigjenit që blinin tek kompania “GTS”, në një kohë kur dokumentacioni që ajo zotëronte tregonte se magazine kishte gjendje oksigjenimi.

Drejtoresha ka njoftuar prokurorinë e rrethit Kavajë, dhe më pas kjo e fundit ka orientuar shërbimet e policisë, me qëllim mbajtjen në vëzhgim dhe arrestimin e këtij personi. Mensur Shtylla, shpërndante bombolat e oksigjenit duke ja dorëzuar ato familjarëve të personave të prekur nga Covid-19.

Për çdo bombol që nxirte nga magazina e spitalit, Shtylla, dyshohet se paguhej financiarisht në të zezë nga të afërm të sëmurëve.

Prokuroria e Kavajës, tashmë ka dorëzuar materialin hetimor në gjykatë, duke kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” për Mensur Shtyllën.

LEXO EDHE

Ekskluzive/Ndryshon akuza për magazinierin e spitalit Mensur Shtylla, ka kryer “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”