Kanali i bllokuar po rrezikon dhjetëra familje në Vlorë: Janë çarë muret e banesave, do bëhet ndonjë katastrofë

Dhjetra familje në lagjen "Karabash" të Vlorës rrezikojnë nga rrëshqitja e dherave.

Reshjet e fundit të shiut, kanë dëmtuar muret rrethuese të shtëpive, ndërsa ka edhe nga ato në të cilat ka nisur çarja.

"Mua po më bie muri i shtëpisë, ka 14 muaj që më ka rënë muri, kemi njoftuar. Erdhën dhe vunë një pritë atje, një pritë këtu. Jam shumë e friëksuar për banesën se më ka pësuar çarje dhe shtëpia."

Gjithçka vjen për shkak të kanalit, i cili është i bllokuar dhe bën që uji të grumbullohet në një vend.

"Po të bjerë një shi më i madh do të bëhet katastrofë. Betonet që kanë rënë atje e kanë bllokuar rrjedhjen e ujit. Ky ujë çfarë do të bëjë? Do të mbytë lagjen."

Banorët thonë se nuk kanë ku të ankohen, pasi askush nuk i dëgjon.

"Ku të ankohesh, te cila qeveri?"

Edhe pse ka kaluar pothuajse një javë nga shembja e disa mureve, dhe inertet kanë rënë në kanal, askush nuk është kujtuar që ta pastrojë atë, ndërsa në rast reshjesh të reja kjo lagje rrezikon seriozisht.