Familja Hyra në Yrshek/ Gjashtë veta në një dhomë, kryefamiljarja: S’kemi ku flemë, dhoma me lagështirë
Familja Hyra në Yrshek jeton në kushte tejet të vështira. 6 pjesëtarët e saj rrinë në një dhomë të vetme, e cila për më tepër është edhe me lagështirë. I vetmi në punë është kryefamiljari, ndërsa nëna e 4 fëmijëve kërkon ndihmë nga Bashkia për një kredi të butë.
Në këtë dhomë jetojnë 6 pjesëtarë të familjes Hyra. Prej 17 vitesh familja jeton në Yrshek në këtë shtëpi plot lagështirë duke vështirësuar jetesën e tyre.
Elvira Hyra, e zonja e shtëpisë, tregon se me rritjen e fëmijëve janë përkeqësuar edhe kushtet, madje as vend për të fjetur nuk kanë.
"Lagështia vërdallë, nuk ke si t'ja bësh. Shumë e vështirë, vetëm me mësimet nuk i dilet kur hapen mbi tavolinë. Kaq zë dhoma."
Thotë se në shtëpinë e saj punon vetëm bashkëshorti dhe me pak para përpiqet të sigurojë ushqimin.
"Nga pak të gjitha."
Teksa na tregon për vështirësitë që ka kaluar, pengu më i madh i nënës janë 4 fëmijët e saj.
"Shoqet e vajzave të mia janë të gjitha nëpër kurse, unë nuk i çoj dot."
41-vjeçarja kërkon ndihmë nga shteti për të marrë një kredi të butë për të blerë një shtëpi më të madhe.
"I kërkoj shtetit të më ndihmojë për një hyrje të shpëtoj nga lagështira se po më sëmuren fëmijët. Më ka ardhur shpirti aty ku nuk mban më."
Dëshirën për të pasur një shtëpi më të madhe por dhe një dhomë për veten e tij e ka dhe Kristani, djali i vogël i familjes.
"Dua një shtëpi të madhe si shokët e mi, të kem dhomën time."