Përmbytjet rrezikojnë Urën e Zogut. Monumenti i Kulturës humb rreth 2 metra
Reshjet e dendura të shiut nuk kanë kursyer as “Urën e Zogut” në Milot, një Monument Kulture i mbrojtur nga shteti.
Prurjet e shumta të lumit kanë bërë që një nga këmbët e urës të fundoset në lumë me rreth 2 metra.
Për pasojë i gjithë Monumenti ka lëvizur, ndërsa traseja në anen veriore është spostuar me rreth një metër dhe ka pësuar plasaritje.
Problematika është konstatuar gjatë ditës se hënë ku janë vënë në dijeni dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Shkodër të cilat pritet të inspektojnë nga afër Monumentin të martën, për të parë mundësinë e ndonjë ndërhyrje emergjente për të shpëtuar shembjen e plotë të urës.
Alarmi për këtë situatë është dhënë prej kohësh, pasi këmbët janë gërryer nga shfrytëzimi pa kriter i lumit Mat, por asnjë mase nuk është marrë për frenimin e këtij fenomeni dhe mbrojtjen e Monumetit me vlera të jashtëzakonshme historike.
Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore.
Ajo gjendet në të majtë të Rrugës së Kombit, në të dyja ekstremet e lumit Mat dhe daton që nga viti 1927.
Vetë mbreti Zog ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e Epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj.
Ura është projektuar nga një inxhinier italian dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët.
Që nga viti 1999, Ura e Zogut është shpallur monument kulture, që mbrohet nga shteti, por diçka e tillë ka munguar, pasi nuk është mirëmbajtur dhe kryer asnjë investim.