Rrëshqitja e dheut dëmton tubacionin e ujësjellësit të Bogovës, tre qytete mbesin pa ujë
Moti i keq dhe reshjet e pandërprera të shiut, kanë bërë që masive dheu të bien dhe të dëmtojnë tubacionin kryesor të ujësjellësit të Bogovës.
Ky tubacion furnizon me ujin e pijshëm banorët e tre qyteteve: Berat, Poliçan dhe Kuçovë. Sipas informacioneve nga bashkitë përkatëse mësohet se tubacioni kryesor i këtij ujësjellësi është dëmtuar në disa segmente të tij.
Në zonën ku edhe është dëmtuar tubacioni,në fshatin Kakruk, kanë shkuar punonjësit e ndërmarrjes së sh.a. Ujësjellës-Kanalizimeve Berat, që janë duke punuar për riparimin e defektit që ka lënë pa ujë tre qytete.
Në fshatin Plirëz të Poliçanit një tjetër çarje ka ndodhur në tubacionin e ujit të pijshëm, si pasojë e shkarjeve të dheut në këtë zonë. Pozicioni në të cilit ndodhet tubacioni i Bogovës e bën atë gjithmonë të riskuar nga çarjet dhe dëmtimet, pasi reshjet shkarkojnë mbi të masive dheu.
Burimet zyrtare pranë sh.a.Ujësjellës-Kanalizime Berat bëjnë me dije se puna nuk do të ndërpritet deri në riparimin e tubacionit,edhe pse reshjet e dendura të shiut e vështirësojnë edhe më tepër punën e inxhinierëve.
Ujësjellës i Bogovës është ndërtuar 30 vite më parë dhe shtrihet përgjatë rrëzës së kodrave të zonës së Skraparit, ku terreni është tepër i vështirë. Gjatë stinës së dimrit,rrëshqitjet e masivëve të dheut e shkëmbinjve kanë sjellë çdo vit dëmtime serioze në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm.