Po shemben urat që lidhin fshatrat, rrëshqitjet e dherave rrezikon banesat
Një shtëpi u shemb si pasojë e reshjeve intensive të shiut në Sukaxhi të Lezhës, 6 rrezikohen në lagjen Varosh e disa të tjera në Torovicë nga rrëshqitjet e dherave.
“Me frikë kemi ndenjur dhe me frikë po rrimë.”
27 familje janë detyruar të lënë banesat si pasojë e përmbytjes e dhjetra të tjera janë të rrethuara e kërcënuara nga uji në Bashkitë Lezhë e Kurbin.
Mbi 4400 hektarë tokë janë nën ujë në Lezhë e Shkodër, ku në Obot mund të lëvizet me mjetet e ushtrisë ose varkë.
“Kemi 260 trupa speciale vetëm nga forcat e armatosura, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1200 trupa të tjerë të angazhuar që kanë rritur gatishmërinë. Të gjitha bashkitë në total kanë angazhuar dhe mobilizuar rreth 1500 trupa të gatshëm.”
Drini ra me 50 cm, por vërshimi i Lumit Drojë ka dëmtuar argjinaturën dhe këmbët e Urës, duke nxjerrë në pah cilësinë e dobët të punimeve të rindërtimit pasi e shembi tre vite më parë.
“Është në rrezik të shembet edhe ura poshtë, duke bllokuar 6 mijë banorë.”
Lidhja e disa fshatrave me superstradën Lezhë-Shkodër u blloku, ndërsa fshati Shperdhet në Mamurras ka mbetur i izoluar.
Në Bashkinë Durrës situata konsiderohet e qëndrueshme, por me parashikim e përkeqësimit të motit, autoritetet thonë se mund të detyrohen të evakuojnë 250 familje.
“Rrezikshmëria është e lartë sepse reshjet po vazhdojnë.”
Në Kukës, pati rrëshqitje gurësh e dherash në disa akse rurale, ndërsa shembja e urës izoloi një pjesë të banorëve në fshatin Mgul.
“Kemi njerëz të sëmurë në shtëpi dhe nuk kemi asnjë mënyrë se nga të kalojmë.”
Rrëshqitja e rrugës në disa pika krijoi vështirësi në aksin Peqin-Belsh, ku e rrezikshme është bërë edhe ura në fshatit Gryksh.
“Më mirë me kafshë se sa me makinë. Me këtë shtet që kemi kështu do të kalojmë.
Në jug të vendit situata nuk paraqitet problematike.