"Zhduke drogën..." Përgjimet zbuluan lidhjet me policinë, mbeten në burg zyrtarët e Skraparit
Janë dashur 7 muaj hetime për të zbuluar grupin prej 23 personash që kultivonte lëndë narkotike në zonën e Skraparit.
Pjesë e kësaj skemë ishin edhe 4 punonjës policie dhe 3 zyrtarë, ndaj hetimet u nisën nga SHCBA-ja e Beratit me drejtues Arben Frashërin. Ky i fundit u shkarkua në tetor nga vettingu i forcave të rendit i papërshtatshëm për vijimin e punës.
Hetimet u zgjeruan më pas duke përfshirë dhe prokurorinë e posaçme. Sipas dosjes, provat më të forta për anëtarët e grupit janë përgjimet telefonike dhe mbi 5 mijë rrënjë kanabisi të asgjësuara dhe 176 kg kanabis e paketuar në gjendje të thatë e paketuar dhe gati për shitje.
Nga vëzhgimet e Guardia Di Finanza mes datës 20 gusht dhe 17 shtator janë konstatuar 28 parcela në të cilat kultivohej lëndë narkotike.
Pas marrjes së informacioneve nga autoritetet janë vënë në përgjim një numër i lartë personash mes tyre dhe punonjës policie të zonës së Skraparit apo dhe zyrtarë vendor.
Përfshirja e punonjësve të policisë është e qartë në çdo faqe të dosjes hetimore për trafikuan e kanabisit në Skrapar.
Në një prej episodeve, Altin Duro me detyrë specialist zone në fshatin e Çepanit, pasi del nga mbledhja në komisariatin e policisë njofton një shtetas me emrin Enver për kontrollet që do kryheshin dhe i kërkon të zhdukë lëndën narkotike. Krahas shitjes së informacioneve efektivët dyshohen se janë përfshirë dhe në fshehjen e lëndës narkotike.
Sipas transkriptit të përgjimit të datës 3 shtator të vitit të shkuar, punonjësit e policisë Klement Zeqo dhe Neritan Naska koordinohen me njëri-tjetrin për të fshehur dhe koordinuar kontrollin e territorit si dhe për të devijuar kontrollet me dron.
Lexo dhe: Zbardhen 16 episodet e kultivimit të drogës në Skrapar, Ja si u gjetën 4147 rrënjë kanabis
Nga policia janë gjetur mjete që përdoreshin për vaditjen e bimëve gjatë kohës së kultivimit të tyre, si bidonë plastik, impiante vaditëse dhe depozita plastike për mbajtje e ujit. Tubat ishin të lidhura me një rezervuar të hapur rishtazi dhe në çdo parcele ishin të vendosura depozita, të cilat lidheshin me njëra-tjetrën .
Madje për të fshehur lëndën narkotike, kultivuesit kishin zgjedhur zona mes parcelave me bimë medicinale dhe pemë frutore.
Pas dokumentimit të të gjithë provave, këtë të shtunë, 9 janar, gjykata e Posaçme vendosi të lërë në qeli 16 prej të ndaluarve, për 4 të tjerë u dha masë arrest në shtëpi, si dhe detyrim paraqitje për 3 të tjerë.