Greqi: Projektligji për zgjerimin në detin Jon, 2 sesione diskutimi para votimit në 19 janar
Komisionet e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të parlamentit të Greqisë, filluan të shqyrtojnë projektligjin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje, në Detin Jon.
Për shkak të rëndësisë, projektligji kërkon shumicë të cilësuar. Ai u dërgua në parlament në të njëjtën ditë që Kryeministri Edi Rama, shkoi për vizitë jozyrtare në Athinë.
Ditën kur kryeministri shqiptar u prit në Athinë nga homologu i tij Kyriako Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias, në komisionin e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Parlamentit të Greqisë mbërriti projektligji i zgjerimit të ujërave territoriale me 12 milje në Detin Jon.
Projekti i titullar "Për delimitimin e zonave detare në rajonin e Detit Jon dhe në ishujt e Jonit, deri në Kepin Tainaro në Peloponez" përfshin gjithashtu zgjerimin e hapësirës ajrore të vendit në përputhje me ndryshimin e hapësirës detare. Zgjerimi me 12 milje, llogariten mbi bazën e vijës së mesit të bregut, duke përfshirë gjiret dhe gadishujt.
Pasi të shqyrtohet në Komisionin e Punëve të Jashtme, dhe atë të Mbrojtjes së Parlamentit ,projektligji do t’i kalojë për miratim seancës plenare më 19 janar.
Projektligji zgjeron territorin në bazë të nenit 27, të Kushtetutës,dhe për miratimin e tij duhet shumicë e cilësuar apo votën pro të 151, deputetëve. Kreu i Parlamentit, Kostas Tasoulas, e quajti ligjin shumë të rëndësishëm dhe kërkoi shfaqjen e unitetit nga ligjvënësit.
Neni i parë i projektligjit, thekson se: “Ky ligj zbatohet për të gjithë zonën detare nga pika më veriore e Rajonit të Ishujve të Jonit deri në Kepin Tainaro, në Peloponez. Zona e mësipërme përfshin brigjet kontinentale të territorit të Greqisë, si dhe ishujt dhe shkëmbinjtë.”
Pas miratimit të këtij të këtij projektligji Greqia dhe Shqipëria do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për të ndarë zonën e kontestuar.
Lexo dhe: Pas Erdoganit te Mitsotakis, Rama në Greqi për vaksinat, në Athinë diskutohet deti
Çështja e detit ishte në axhendën e takimeve që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Athinë me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias.
Mediat greke, që i bënë jehonë të madhe vizitës jo zyrtare të zotit Rama në Athinë e nënvizuan vazhdimisht qëndrimin e mëparshëm të tij se është e drejtë e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje.