"Vendimi për akuzat i takon Kongresit" Biden reagon për mungesën e Trump më 20 janar

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se i takon Kongresit Amerikan që të vendosë nëse Donald Trumpi duhet të largohet nga Zyra Ovale përmes inicimit të gjykimit.

“Ky është një vendim që i takon Kongresit që ta marrë dhe unë jam i fokusuar në punën time”, tha Biden gjatë një konference për gazetarë nga shteti i tij, Delauer.

Sipas Bidenit, Trump nuk është i aftë për të udhëhequr më SHBA-në, por shtoi se vetë Biden është i fokusuar që më 20 janar të ndodhë inaugurimi i tij si president, ku tha se pasi të marrë mandatin, prioritet kryesor do të ketë luftimin e pandemisë.

Këto komente të Bidenit, vijnë në kohën kur zyrtarët e lartë demokratë po diskutojnë lidhur me një gjykim të mundshëm ndaj presidentit Trump, duke argumentuar se ai nxiti qindra mbështetës të tij të cilët sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, ngjarje në të cilat u vranë pesë persona.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillon një takim virtual me bashkëpartiakët e saj demokratë, lidhur me mënyrat se si do të veprojnë për ta shtyrë përpara planin e tyre për ta larguar Trumpin nga zyra para se t'i kalojë mandati presidencial më 20 janar.

Në këtë mbledhje, Pelos i ka njoftuar demokratët se ka biseduar me një zyrtar të lartë ushtarak për masat që mund të ndërmerren, që do të parandalonin që Trump në dy javët e fundit të mandatit të tij, të mos ndërmarrë ndonjë sulm, përfshirë edhe sulm të mundshëm bërthamor.

Shumë demokratë, por edhe republikanë e kanë akuzuar Trumpin se ka nxitur dhunën në Kongres.