Drejt Durrësit me 18 kg eksploziv e 15 detonatorë në makinë, dy kuksianë në pranga

Dy persona u arrestuan në Sukth pasi u kapën duke transportuar 29 kallëpe tritoli me peshë 18 kilogram, të cilët do të shiteshin në vlerën 12 mijë euro. Dy të arrestuarit nga Kukësi u ndaluan në zonën e Sukthit ku dhe kishin destinacionin përfundimtar.

29 kallëpe lëndë eksplozive me peshë 18 kg dhe 15 kapsolla detonatore janë sekuestruar nga Policia e Durrësit në Kuadër të Operacionit të koduar "Trajektorja".

Burime nga policia bëjnë me dije se kanë rënë në pranga Bajram Bajraktari dhe Shkumbin Todaj, që të dy banues në Kukës.

Agjencitë kishin marrë informacion për veprimtarinë e dy personave ndaj kanë zhvilluar operacionin, duke i prangosur në zonën e Sukthit.

Sipas hetuesve dy të arrestuarit do ti shisnin kundrejt vlerës 12 mijë euro.

Ndërkohë hetimet janë shtrirë për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Ky nuk është rasti i parë në Durrës që konstatohen lëndë eksplozive. Vetëm 10 ditë më parë u arrestua 29-vjeçari Viktor Noka me dy mina me telekomandë të cilat do të shiteshin me 2 mijë euro.

Pavarësisht pandemisë, gjatë vitit të shkuar ka evidentuar 16 raste të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, shpërthyese dhe municioneve, nga 14 që kanë qenë vitin e shkuar.

Rastet më flagrante ku janë konstatuar mina të telekomanduara rezultojnë në qytetin e Durrësit, ku çmimi i tyre shkon deri në 1 mijë euro për copë.

Gjatë dhjetorit u konstatuan edhe në Lezhë raste të trafikimit të lëndëve plasëse.

Në Lezhë u arrestuan nga policia Erol Çiçi dhe Maringlen Gruda, të cilët tentuan të trafikonin dy bomba me telekomandë për shpërthim në distancë drejt Malit të Zi.