Kryeministri britanik njofton bllokimin e tretë kombëtar, mbyllen shkollat: Situata, alarmante
Anglezët do i rikthehen karantinës kombëtare për të kontrolluar përhapjen e shpejtë të koronavirusit dhe ngarkesën në spitale. Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se javët që vijnë do të jenë më të vështirat se ato të vitit të kaluar.
Britania e Madhe do të hyjë në një regjim të ri izolimi pasi nuk mund ta kontrollojë ndryshe shpërthimin e rasteve me variantin e ri të koronavirusit.
Masat rigoroze të ndalimqarkullimit do të zgjatin deri në mesin e muajit shkurt në rastin e Anglisë dhe në fund të janarit për rajonin e Skocisë.
Në këto javë synohet të lehtësohet disi ngarkesa në sistemin shëndetësor, të ulet shkalla e infektimit me mbi 50 mijë të prekur përditë dhe të përparohet me vaksinimet kundër Covid-19.
"Nga shtëpia mund të dilni vetëm për arsye të kufizuara që i lejon ligji, për blerjet kryesore, për punë nëse nuk e kryeni dot nga shtëpia, për t'u ushtruar fizikisht, për ndihmë mjekësore, apo një test kovidi, ose për t'i shpëtuar abuzimit brenda familjes," shtoi kryeministri Boris Xhonson.
Për t'i dhënë fund situatës, autoritetet vijojnë të imunizojnë përditë me dhjetëra mijëra britanikë me dy vaksinat antikovid nga "Pfizer"-i dhe nga "AstraZeneca/Oxford".
Britania ka regjistruar mbi 2 milionë e gjysmë raste me koronavirusin e ri dhe më shumë se 75 mijë persona nuk i kanë mbijetuar sëmundjes që ai shkakton.
Ekonomia e vendit pësoi një rënie historike mes muajit prill dhe qershor të vitit të kaluar, kur vendosi të zbatojë karantinën kombëtare gjatë valës së parë të Covidit.
Pasojat në ekonominë familjare dhe bizneset pritet të shfaqen edhe në tremujorin e parë.

Duke rekomanduar të gjithë të respektojnë rregullat dhe të qëndrojnë në shtëpi për aq kohë sa të jetë e mundur, Johnson, tha se "nëse gjërat shkojnë mirë", në mes të shkurtit kategoritë përparësore do të jenë vaksinuar me dozën e parë .
Deri më sot, theksoi ai, "ne kemi vaksinuar" më shumë njerëz sesa në të gjithë Evropën.
Në 24 orët e fundit Britania e Madhe regjistroi 58,784 raste pozitive në 430 mijë tamponë.