Dhuna fizike dhe psikologjike ndaj grave, Irani miraton projektligjin e ri
Qeveria iraniane ka miratuar një projektligj që e cilëson si krim dhunën ndaj grave, duke përfshirë veprimet ose sjelljen që shkakton dëm fizik ose mendor te gratë.
Projektligji u miratua nga kabineti qeveritar më 3 janar, por përgatitjet për hartimin e tij kanë nisur që prej shtatorit të 2019.
Mediat njoftuan se projektligji specifikon veprimin ndëshkues, përfshirë dënimin ligjor, dëmshpërblimin civil dhe dënimin me burg për ato që kërcënojnë sigurinë fizike dhe mendore të grave.
Gjyqësori do të ketë për detyrë krijimin dhe sponsorizimin e zyrave që ofrojnë mbështetje për gratë, që vuajnë një lloj dhune ose janë të ndjeshme ndaj dhunës. Projektligji kërkon gjithashtu krijimin e njësive speciale të policisë për të garantuar sigurinë e grave.
Irani është një nga katër vendet që nuk kanë ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave (CEDAW).