2.7 miliardë lekë për pastrimin, Bashkia e Tiranës jep dy tendera me negociim vetëm për katër zona
Në kulmin e pandemisë, bashkia e Tiranës ka dhënë 2.7 miliardë lekë për dy tendera të pastrimit të qytetit. Pjesëmarrëse në të dy prokurimet e zhvilluara janë kompanitë Korsel dhe Fusha shpk ndërkohë që në letrat e dërguara Agjencisë së Prokurimit Publik theksohet se stafet e Drejtorisë së Pastrimit dhe Menaxhimit të Mbetjeve Urbane janë prekur nga Covid.
Bashkia e Tiranës nuk i ka ndaluar prokurimet as në këtë periudhë të vështirë ekonomike të krijuar në vend si pasojë e efekteve të pandemisë.
Një prej procedurave të zhvilluara së fundmi është ajo për shërbimin e pastrimit të kryeqytetit për tri vjet, i ndarë në katër lote me një vlerë prej 2.7 miliardë lekësh.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike dy prej këtyre kontratave tashmë janë nënshkruar.
Bashkia nën drejtimin e Erion Veliajt i ka dërguar një shkresë Agjencisë së Prokurimeve Publike ku i kërkon zhvillimin e dy loteve me negociim.
Në kërkesë argumentohet fakti se stafet e Drejtorisë së Pastrimit dhe Menaxhimit të Mbetjeve Urbane dhe Drejtorisë së Prokurimeve kanë rezultuar pozitivë nga infektimi me koronavirusin dhe për pasojë procesi i punës është pezulluar.
Për shërbimin e Pastrimit të Zonës Tirana II kanë marrë pjesë dy kompani, Korsel me vlerën e ofertuar prej 33 milionë e 621 mijë lekësh dhe Fusha shpk me 33 milionë e 644 mijë lekë.
Kështu fituesi i kësaj kontrate është shpallur subjekti Korsel shpk.
Edhe në procedurën për zonën e katërt kanë qenë pjesëmarrës këta dy operatorë ekonomikë por edhe Alko Impex Construction.
Në këtë rast fitues është shpallur kompania Fusha shpk, pasi ndryshe nga rasti për zonën e dytë kishte paraqitur ofertën më të ulët.
Gjatë pandemisë Tirana ishte një ndër qytetet ku edhe pas mesditës kazanët e mbeturinave ishin plot.
Por sipas dokumentave të tenderit për asnjë rast nuk do të lejohen kazanë të tejmbushur, të patransportuara dhe mbeturina të lëna në zonën përreth kontenierëve.