COVID-19 i merr jetën biologut të njohur, zbuloi “Tulipanin Shqiptar”

Zbuluesi i "Tulipanit Shqiptar", bimës së unikalë që rritet në veri të Shqipërisë, Besnik Hallaçi, u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare si pasojë e sëmundjes së koronavirusit.

Koronavirusi i mori jetën në moshën në 64-vjeçare drejtorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Besnik Hallaçi, biologut të njohur si zbulues i “Tulipanit Shqiptar”.

Prej dy javësh ai ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por nuk mundi ti mbijetojë virusit vdekjeprurës.

Për kolegët dhe bashkëpunëtorët, ndarja e parakohëshme nga jeta e Besnik Hallaçit ishte humbje për shkencën e botanikës në Shqipëri.

"Besnik Hallaçi ishte gjithçka për biologjinë e Kukësit, për mbrojtjen e mjedisit, habitatet, parqet natyrore."

"Ishte një nga zbuluesit më të mëdhenj të tulipanit shqiptar."

"Është një humbje e madhe për komunitetin tonë, për ata pak njerëz të shkencës që kanë mbetur këtu."

Bima e rrallë ka fituar statusin e mbrojtjes ndërkombëtare, pasi rritet vetëm në Shqipëri dhe meritat sipas bashkëpunëtorve gjithmonë do ti njihen Besnik Hallaçit.

"Kudo ku është botanika, parqet natyrore, kudo ku është tulipani, është dhe Besnik Hallaçi."

Për humbjen e biologut të njohur Kukësianë” ka shkruajtur edhe Prefekti i Qarkut Kukës Zenel Kuçana.

“Lajm i trishtë , për humbjen e jetës së biologut pasionant e drejtuesit model në rrethin e Kukësit, ngushëllime familjes , të afërmeve , shokëve e miqëve të tij . Lamtumirë Besnik Hallaçi , paç dheun e lehtë.

Edhe kryetari i Bashkise Kukes Safet Gjici shprehu ngushellime per humbjen e biologut Besnik Hallaci.

Gjici ne faqen e tij zyrtare facebook shkruan se “Me dhimbje të thellë dhe hidhërim të madh mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur nga kjo pandemi famëkeqe të biologut të njohur kuksian Besnik Hallaçi.Më lejoni që në këto  momente të dhimbshme t’i shpreh familjes, të afërmve të tij ngushëllimet më të sinqerta, në emrin tim personal  dhe  të qytetarëve kuksian.U prehsh në paqe!.”shkruan kryebashkiaku i Kukesit.

Tulipani i Kukësit  është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë.

Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti.