Arrestohet “Tony Montana” i Lezhës
Dy persona të shpallur më parë në kërkim u vunë në pranga nga policia e Lezhës, pasi akuzohen për “Prodhimi dhe shitje të narkotikëve ” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”.
Njëri prej të arrestuarve është Filip Shtjefni, i njohur ndryshe si “Tony Montana” i zonës. Sipas policisë ai ishte në kërkim pasi Gjykata e ka dënuar me 2 vite burg , për veprën penale “Heqje e paligjshme e lirisë”.
Në vitin 2016 Shtjefni akuzohet se ka mbajtur peng pa dëshirën e saj një të re, e identifikuar asokohe si E.Metolli, të cilën e shfrytëzonte për prostitucion.
26-vjeçarja në atë kohë bëri denoncim në polici ndaj Shtjefnit i cili u akuzua se përdorte një lokal si kamuflim për aktivitetin e shfrytëzimit të prostitucionit në Lezhë.
I arrestuari i dytë është një 25-vjeçar nga fshati Barbullojë i Lezhës, i cili ishte në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh.
I riu është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Lezhë e ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas policisë me 28 tetor në afërsi të një lokali në aksin rrugor Milot-Lezhë nga shërbimet e Policisë është bërë ndalimi i një mjeti me drejtues të riun i cili braktisi mjetin dhe u largua. Gjatë kontrollit të makinës, efektivët gjetën dhe sekuestruan 27 kg lëndë narkotike canabis sativa, si dhe arrestuan në flagrancë bashkëpunëtorët tij, dy të rinj të tjerë.
I riu më pas ka qëndruar për më shumë se një muaj në arrati, ndërsa mësohet se fshihej në kryeqytet, deri sa u ndalua këtë të shtunë nga efektivët e komisariatit nr.6 në Tiranë, për llogari të policisë së Lezhës.