Bashkëshortja e dinte lidhjen e Ademit me të dy motrat, heshti e i bëri mike
Tre ditë pas vrasjes makabre të dy motrave Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, autori Përparim Ademi ka dalë këtë të shtunë, 2 janar 2021, para togave të zeza për tu njohur me masën e sigurisë.
I qetë dhe pa maskë, 59-vjeçari ka pranuar krimin dhe para togave të zeza, përballë të cilave ka dhënë dhe detaje të marrëdhënieve që kishte me dy motrat.
Në seancën me dyer të mbyllura u evidentua marrëdhënia jashtëmartesore që Ademi ka patur fillimisht me Kristinën e nisur 20 vite më parë, ndërsa pas ndarjes ai është lidhur me motrën tjetër, Zhanetën.
Autori i krimit makabër para gjyqtarit Gerd Hoxha, ka pretenduar se ka një fëmijë me njërën prej motrave, por që nuk e ka regjistruar në emrin e tij. Për këtë arsye akuza e vrasjes në rrethana cilësuese është ndryshuar nga prokuroria në "vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare".
Gruaja e dinte
Grupi hetimor ka marrë në pyetjen dhe bashkëshorten e Ademit e cila është shprehur se ka qenë në dijeni të tradhtisë së bashkëshortit me dy motrat.
Bashkëshortja e Ademit në deklaratën e saj para grupit hetimor është shprehur se e ka ditur tradhëtinë por për të mbajtur familjen të bashkuar ka heshtur madje ka bërë mikesha dy motrat. Ajo ka shtuar se ka patur hyrje dhe dalje familjare me ta, madje edhe kanë udhëtuar së bashku.
Ndërkohë avokati i 59-vjeçarit, tha se klienti i tij ka shprehur pendesë për krimin e kryer dhe gjendja e tij psikologjike dhe shëndetësore është e renduar.
Si ndodhi ngjarja
Lexo dhe: Si perdori një fëmijë të lagjes si karrem
“Ora News”, ka mundur të zbardhë të gjithë dinamikën e këtij krimi të rëndë, ku Përparim Ademi ka zbrazur në drejtim të motrave plot 26 plumba.
Zhaneta i kishte kërkuar Përparimit të ndahen, madje një ditë para ngjarjes ata janë konfliktuar verbalisht, ndërsa pas këtij episodi ata mbanin derën mbyllur nga frika se 59-vjeçari mund të rikthehej sërish.
Dy motrat e kanë kërcënuar Ademin, se do shkonin ta bënin denoncim në polici për “Dhunë në familje”.
Rreth orës 10:00 të mëngjesit Ademi ka mbërritur tek sheshi i pallatit me një çantë ku mbante automatikun brenda. Për tu futur tek banesa e dy motrave në katin e tretë të pallatit, ai ka përdorur si karrem një fëmijë të lagjes i cili po luante.
Sipas hetuesve kur ka rënë zilja e derës, dy motrat ndodheshin në tavolinën e bukës. Sapo kanë hapur derën janë përballur me 59-vjeçarin dhe kanë tentuar ta mbyllin por Ademi ka shtënë me breshëri ndaj tyre.
Më pas ai është afruar duke i qëlluar dhe prej një distance më të afër, ndërsa ka qëlluar dhe në drejtim të orendive të banesës për ti shkatërruar.
Të shtënat janë ndalur kur karikatori i automatikut prodhim kinez është boshatisur, dhe më pas Ademi është larguar për tu arrestuar dy orë pas ngjarjes.
Gjykata Penale e Tiranës i dha sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzën "vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare"