Rriten importet me Serbinë e Rusinë, shënohet edhe rritje e eksporteve

Në 11 muaj, eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje me 10 për qind krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT edhe importet kanë shënuar rritje, ku një shtesë të ndjeshme kanë shënuar mallrat nga Serbia dhe Rusia.

Në Shqipëri, kriza e pandemisë ka nxjerrë në pah rritjen e kërkesës kryesisht për mallrat serbe.

Referuar të dhënave të INSTAT gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori ka pasur rritjen më të madhe të importeve me Serbinë me 36.9% dhe me Rusinë 20.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër Italia që ka qenë ndër vite një nga partnerët kryesorë të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, por nga kriza si eksportet ashtu edhe importet mes dy vendeve janë dobësuar.

Rënia prej fqinjt të përtej Adriatikut shkon në 9.7%. dhe vlera e tyre arriti në 136.3 miliardë lekë nga 151 miliardë që raportohej një vit më parë.

Edhe eksportet me këtë shtet kanë rënë me 15%.

Kriza është akoma më e thellë me Spanjën, e cila ka shënuar rënie me 25.5% të shkëmbimeve.

Edhe mallrat e eksportuara në Kosovë kanë reflektuar tkurrje me 14.7%.

Në njëmbëdhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 249 miliardë lekë, ndërsa importet e mallrave në 544 miliardë lekë.