Ikja nga rrëmuja e kryeqytetit, pandemia rrit sërish çmimet e apartamenteve në periferi
Çmimet e apartamenteve në periferinë e Tiranës janë rritur gjatë muajve të fundit. Agjentët imobiliarë thonë se ky fenomen po ndodh për shkak të rritjes së kërkesës pas tërmetit të vitit të kaluar dhe situatës së pandemisë, çka ka sjellë rritjen e çmimit me 10-20%. Ndryshe nga sa pritej, vrulli i ndërtimeve sipas ekspertëve nuk do sjellë një ulje të vlerës së apartamenteve.
Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe pandemia duket se kanë krijuar një valë të re të kërkesave për apartamente në periferinë e kryeqytetit.
Agjentët imobiliarë bëjnë me dije se kërkesa e shtuar për banesa jashtë qytetit ka sjellë dhe rritje të çmimeve me 10-20 për qind krahasuar me një vit më parë.
Largimi nga zhurmat e qendrës dhe cilësia e ajrit të pastër ka zhvendosur blerjet në zona që më parë kishin pak banorë.
Nga ana tjetër, ndërtuesit pohojnë se rritja e çmimeve vjen si pasojë e kostove të ndërtimit.
Për këtë arsye lejet e reja të ndërtimit ndryshe nga sa pritej nuk do të sjellin ulje të çmimeve.
Sipas ekspertëve emigrantët dhe personat që shesin një truall ose pasuri të paluajtshme janë ata që po blejnë kryesisht banesat në periferi të Tiranës.
Por ndryshe nga këto zona, çmimet e apartamenteve në qendër konsiderohen të fryra.
Ndërtuesit thonë se çmimet e shitjes deklarohen më të lira sesa ato reale.
P.sh, apartamente që kushtojnë 1500 euro por deklarohen sikur shiten me 700-800 euro, ndërsa pagesat bëhen me këste të vogla për të shmangur kalimin e transaksioneve mbi 1 milionë lekë përmes bankave.
Sipas raportit të publikuar në muajin gusht “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, grupet kriminale shënjestrojnë kompanitë në situata të paqëndrueshme financiare që kanë borxhe ose hua për të shlyer dhe u japin shuma të mëdha parash në projekte ndërtimi me kushtin që ato t’i kthehen grupit kriminal pas përfundimit.
Puna në sektorin e ndërtimit nuk është frenuar as nga përhapja e koronavirusit.
