Sejko: Ekonomia drejt normalitetit në vitin 2021, vaksinat japin shpresë për fundin e pandemisë

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare ka shënuar një kthesë drejt rikuperimit në tremujorin e tretë. 

Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, ndërsa rikuperimi i tij pritet të jetë një proces gradual dhe i rrethuar me rreziqe.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një dalje për mediat tha se treguesit e disponuar erdhën në përmirësim gjatë muajve të verës, duke pasqyruar frenimin e përhapjes së epidemisë, relaksimin e distancimit social, si dhe efektin pozitiv të masave lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare.

Sejko: Në përgjigje të tyre, ecuria e të ardhurave buxhetore dhe ajo e tregtisë me jashtë u përmirësua. Po ashtu, përmirësim shënoi dhe tregu i punës, sikurse ilustrohet nga rritja tremujore e punësimit dhe reduktimi në 11.6% i shkallës së papunësisë.

Të dhënat e disponuara për tremujorin e katërt janë ende paraprake, shtoi Sejko, duke nënvizuar se përkeqësimi i situatës epidemiologjike dhe rivendosja e pjesshme e kufizimeve gjatë tremujorit të katërt sugjerojnë një rikuperim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Ky vlerësim mbështetet nga rënia e besimit të bizneseve dhe ilustron brishtësinë e zhvillimeve ekonomike në afatin e shkurtër.

Sipas Sejkos, masat lehtësuese të marra nga Banka e Shqipërisë kanë krijuar tregje financiare të qeta dhe kushte monetare stimuluese për nxitjen e aktivitetit ekonomik. 

Sejko: Në veçanti, normat e interesit për familjet dhe bizneset kanë qëndruar në nivele të ulëta, kursi i këmbimit ka rezultuar i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 6.7% gjatë vitit 2020, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe rritja e kredisë në lekë. Paralelisht me rritjen e portofolit të kredisë, ecuri pozitive ka pasur dhe struktura e këtij portofoli. Rritja në 50.2% e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit, jep sinjale inkurajuese për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare të vendit.

Sektori bankar ka dhënë një kontribut pozitiv në përballimin e krizës. 

Sejko: Rritja e kreditimit ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve. Po ashtu, shtyrja e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimi i kredive për kategori të tjera, ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori.

Sipas Guvernatorit të BSH-së, ekonomia shqiptare do t’i rikthehet normalitetit në vitin 2021. Sejko tha se lajmet mbi progresin e vaksinave japin shpresë për të ardhmen, por në terma afatshkurtër sfidat do të jenë të mëdha.

Sejko:  Lajmet e fundit mbi progresin e vaksinave japin shpresë për përfundimin e pandemisë dhe rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021. Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm, por situata epidemiologjike vijon të paraqesë sfida serioze për ecurinë e ekonomisë në afatin e shkurtër.

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.