Sekuestrohen 14 kg kokainë dhe 287 mijë euro në një kamion drejt Greqisë, arrestohet shoferi shqiptar

Më shumë se 14 kilogramë kokainë  dhe 287,060 euro në një kamion që drejtohej nga një shtetas shqiptar u kapën nga policia  greke në zonën e Lykovrysi, Atikë gjatë një kontrolli të papritur.

Sipas policisë greke, Seksioni i Drogës kishte informacion në lidhje me importin dhe trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogës në vend dhe pas veprimeve të veçanta identifikoi dhe lokalizoi drejtuesin e kamionit, i cili mbërriti në Patras nga Ankona, Itali.

Gjatë kontrollit, brenda kamionit të transportit që i përket një kompanie bullgare u gjetën dhe sekuestruan 13 pako me 14 kg 45 gram kokainë, 7 gram marijuanë, 287 mijë e 60 euro, 1 celular. Gjithashtu, një shumë e madhe parash ishte fshehur me kujdes brenda kabinës së kamionit, raporton CNN Grecce

Rasti u zbulua nga Seksioni i Drogës në Atikë, në bashkëpunim me Rojet Bregdetare të Patras, të mërkurën e kaluar,  (23.12.2020) ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nga autoritetet greke në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Interpol, për të identifikuar furnizuesin dhe rrjetin e transportit dhe trafikimi në Europë.