Kina dënon me 4 vite burg gazetaren, raportoi e para për Covid-19
Kina dënoi me katër vjet burg një qytetare që guxoi dhe i tha botës të vërtetën e asaj qo po ndodhte në Wuhan, epiqendrën e pandemisë, në fazën e parë. 37-vjeçarja tregoi me video gjendjen e spitaleve plot me të sëmurë dhe krematoriumet plot me viktima, në një kohë që Pekini zyrtar i censuronte lajmet.
Një Gjykatë kineze dënoi me katër vjet burg një qytetare, krimi i vetëm i së cilës ishte se i tregoi botës çfarë po ndodhte në Wuhan, epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit. Avokati tha se 37 vjeçarja Zhang Zhan u dënua për “nxitjen e tensioneve dhe telasheve”.
Zhang ishte e para që i tregoi me video botës se çfarë po ndodhte në Wuhan, ndërsa autoritetet vendore dhe qendrore kishin ndaluar çdolloj informacioni. Ajo i ofroi botës një tablo të qartë të spitaleve plot dhe rrugëve bosh, të pacientëve që dergjeshin në korridoret e spitaleve në pritje të marrjes së oksigjenit.
“Nuk e kuptoj pse. Ajo vetëm tha të vërtetën dhe u dënua me katër vjet,” tha Shao Wenxia, e ëma e Zhang-ut që ishte e pranishme në gjykatë.
Avokati Ren Quanniu i tha agjencisë Reuters se: “Vendimi do të apelohet,” ndërsa tha se zonja Zhang beson se po dënohet për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes.
Kritikat ndaj Kinës për menaxhimin e fazës fillestare të shpërthimit të pandemisë janë censuruar, ndërsa mjekët që dhanë të parët alarmin u kërcënuan. Mediat shtetërore përgëzuan për suksesin e menaxhimit të pandemisë, udhëheqjen e presidentit Xi Jinping.
Dalja e lajmeve gjatë fazës më kritike të pandemisë në Kinë nxiti zemërimin e publikut, sidomos pas vdekjes së mjekut që dha i pari alarmin e pandemisë.
Në Shanghai ku edhe u dha vendimi me burg për 37 vjeçaren, masat e sigurisë ishin në shumta, por kjo nuk i pengoi disa njerëz t’i afroheshin gjykatës.
Një invalid i tha agjencisë Reuters se kishte udhëtuar nga provinca qendrore Henan për t’i dhënë mbështetje Zhang-ut ndërsa më pas u largua nga policia. Gazetarët e huaj nuk u lejuan në sallën e gjyqit.
Videot e shkurta që publikuara në YouTube prej të pandehurës përmbajnë intervista me banorët e Wuhan-it, komente dhe pamje nga krematoriumet, stacionet e trenave, spitalet dhe të Institutit të Virologjisë të Wuhan-it.
