Afrika e Jugut me mbi 1 milionë raste me covid-19

Afrika e Jugut është bërë shteti i parë afrikan që regjistron mbi një milion raste me COVID-19.

Bilanci raportohet pak ditë pasi shteti afrikanojugor njoftoi se ka zbuluar një variant të ri të virusit që po transmetohet me shpejtësi veçanërisht në lindje dhe juglindje të kontinentit.

Mutacioni lejon virusin të ndërlidhet më me efikasitet me qelizat e njeriut dhe është i ndryshëm nga ai që po qarkullon në Britani dhe vendet e tjera të botës.

Në Afrikën e Jugut, koronavirusi ka vrarë rreth 27 mijë njerëz mes 60 milionë banorëve të saj.

Përveç pjesës jugore, shtetet e Marokut, Egjiptit, Tunizisë, Algjerisë dhe Etiopisë raportojnë një situatë të rënduar që prej diagnostikimit të sëmundjes infektive në muajin shkurt.

Kontinenti mendohet se e ka përballuar më mirë krizën epidemike të këtij viti për shkak të popullatës së re që në 60 për qind të saj është nën 25 vjeç, për shkak të imunitetit nga sëmundjet e tjera ngjitëse dhe për shkak të jetesës në ambiente më të hapura.

Për sa i përket vaksinimit, Afrika ende nuk ka marrë vaksinat e prodhuara deri tani pasi sipas OBSH-së shumica e shteteve afrikane nuk sigurojnë masat për t'i mbajtur dozat në kushte frigoriferike nën zero gradë dhe as infrastrukturën për të organizuar fushata vaksinimi në masë.

Shefi i Qendrës Afrikane për Parandalimin e Sëmundjeve pret që kontinenti i 1,3 miliard banorëve të nisë vaksinimet nga mesi i vitit 2021.