Tenderi i Ujësjellësit Tiranë, shkelje në përzgjedhjen e fituesit, nuk plotësonte kriteret

10.6 milionë lekë ka vendosur të shpenzojë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, me qëllim brandimin e pikave.

Por shqetësimi nuk është shuma e dhënë në këtë periudhë pandemie, por procedura e cila është vënë në dyshim prej Komisionit të Prokurimit Publik.

Në garë kanë marrë pjesë 2 subjekte dhe UKT ka shpallur fitues subjektin që kishte ofruar vlerën më të ulët, por që rezulton të jetë përzgjedhur me disa shkelje.

Ka qenë konkurrenti që ka ankimuar vendimin, fillimisht pranë UKT, duke argumentuar se fituesi nuk plotësonte kriteret, përfshirë certifikatat për cilësinë e bojërave, mungesën e raportit të auditimit për bilancet tregtare, si edhe disa elementë të tjerë.

Institucionin nën varësinë e kryebashkiakut Veliaj ka kundërshtuar argumentet, duke lënë në fuqi vendimin.

Kjo ka bërë që ankesa të shkojë drejt Komisionit të Prokurimit Publik, i cili pas shqyrtimit të dokumentave ka konstatuar se pretendimi i operatorit ekonomik ankimues qëndron.

KPP në një nga pikat e shqyrtuara gjykon se subjekti i përzgjedhur fitues nga UKT nuk ka zbatuar detyrimin ligjor për auditimin e pasqyrave financiare për vitet 2018,2019 si dhe se anjë prej dokumentave të paraqitura nuk ka cilësinë e certifikatës së origjinës së bojërave kërkuar në kriterin e veçantë të kualifikimit të dokumentave.

KPP ka gjykuar se këto pika janë të mjaftueshme për ta skualifikuar subjektin që UKT kishte shpallur fitues, dhe nuk ka marrë në shqyrtim pikat e tjera, duke i lënë afat këtij të fundit 10 ditë për ta vënë në dijeni në lidhje me ndryshimet.