Afera ruse në zgjedhjet e 2016, Trump fal të pandehurit

Në prag të Krishtlindjes, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një mori faljesh dhe ulje dënimi për të pandehur të çështjes së ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Ai fali plotësisht George Papadopoulos-in, një ish-këshilltar të fushatës dënuar për dëshmi të rremë si dhe tre ish-ligjvënës republikanë.

Presidenti Donald Trump fali plotësisht George Papadopoulos-in, një ish-këshilltar i fushatës së tij, i dënuar për dëshmi të rremë në lidhje me hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Trump-i fali gjithashtu edhe holandezin Alex van der Zwaan, dhëndrin e miliarderit rus German Khan. Van der Zwaan u dënua me 30 ditë burgim dhe 20,000 dollarë gjobë pasi gënjeu hetuesin e posaçëm Robert Mueller në lidhje me kontaktet me agjentët rusë.

Emrat e të sipërpërmendurve u përfshinë në listën e të falurve para Krishtlindjes të shpallur nga Shtëpia e Bardhë. Trump fali plotësisht 15 vetë dhe ndryshoi ose uli dënimin për pesë të tjerë. Në listë përfshihen edhe tre ish-ligjvënës republikanë.

Zoti Papadopoulos, 33-vjeç, punoi si këshilltar i ekipit të presidentit Trump për fushatën e vitit 2016. Ai pranoi akuzën e dëshmisë së rremë para hetuesve të FBI-së në lidhje me kohën dhe kontaktet që kishte pasur me zyrtarët rusë.

Krimi i të pandehurit ishte serioz dhe e dëmtoi hetimin e qeverisë në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016,” thotë raporti i hartuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Përfaqësuesi i demokratëve, senatori Adam Schiff, që drejton Komitetin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se presidenti Trump po shpërdoronte postin. Muajin e kaluar presidenti fali ish-këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn, i cili pranoi dy herë akuzat për dëshmi të rremë gjatë hetimit për ndërhyrjen ruse.