Kosovë, shkurti mundësi për zgjedhje të reja

Partitë politike në Kosovë janë të mendimit që në muajin shkurt mund t'i kërkojnë votën qytetarëve nëse ato nuk do arrijnë ta zgjidhin dot çështjen e presidentit të ri.

Me këtë afat, deputeti i Lidhjes Demokratike, Shkëmb Manaj, tregon se po vjen e ngushtohet hapësira për kompromis mes palëve politike, edhe brenda koalicionit qeverisës.

Nëse ne nuk arrijmë konsensus gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit janar, unë mendoj që data e fundit kur vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje është fundi i muajit shkurt. Ne duhet të kemi parasysh që duhet të zhvillohet një proces zgjedhor, dhe pas procesin zgjedhor është procesi i certifikimit të rezultateve, konstituimi i Kuvendnit të Republikës, pastaj zgjedhja e qeverisë, e që mendoj do të marrë kohë të caktuar. Ne duhet të garantojmë se Kuvendi i republikës duhet të konstitutohet brenda muajit prill dhe eventualisht brenda datës 5 maj ne duhet të zgjedhim presidentit e republikës”.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Pal Lekaj thotë se partia e tij nuk lëkundet nga vija e e vet e kuqe, që është kandidimi i kryetarit, Ramush Haradinaj, për kreun e shtetit.

Pal Lekaj: “...Këtë drejtim ne nuk kemi kompromise. Tani lindin dy pyetje, a dëshirojmë të kemi një president që me afate kushteutese ky të zgjidhet, apo duam të shkojmë në zgjedhje...”

Nga opozita, Lëvizja Vetëvendosje me ligjvënësin e tij, Dimal Basha, nuk fshehet entuziazmi për alternativën e zgjedhjeve të reja, ndërkohë që kolegia Evgjeni Thaçi Dragusha, nga radhët e PDK-së, apelon për lëvizjen e çdo guri politik përpara se palët t'i drejtohen popullit.

Dimal Basha: Nuk është që kemi zgjedh një muaj të favorshëm.

“Çdo vonesë neve po na kushton me një qeverisje të keqe, që po iu kushton qytetarëve me miliona euro, kështu që rrjedhimisht aq më herët që mbahen zgjedhjet aq më mirë për vendin dhe aq më shpejtë iu ikim krizave të tjera institucionale.”

Evgjeni Thaçi Dragusha: “Duhet të shteren të gjitha mundësitë që pozita e presidentit të mos bëhet lojë dhe mos luhet me këtë institucion kaq të rëndësishëm. Duhet të jetë fuqia e koalicionit më së pari që t’i vejë gjërat në lëvizje, nuk mund të kërkohet nga të tjerët dhe të fajësohen të tjerët, por vet koalicioni qeverisës duhet të gjejë zgjidhje. Mandej mendoj që duhet të kemi një konsensus nacional dhe të shikohet përtej qëllimeve personale dhe grupore në mënyrë që çështja e presidentit mos të shërbejë për qëllime që dikush të vijë në pushtet, ose të rrëzohet nga pushteti...nuk mund të kalkuloj aspak as me data, as me afat, mbetet që të shihet”.

Partitë politike në vend ende nuk kanë zhvilluar një takim për të diskutuar për postin e presidentit, i braktisur papritur prej rreth dy muajsh nga ish-kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

Ushtruesja e detyrës, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, mund ta drejtojë postin jo më gjatë se gjashtë muaj.