Sejko: Pandemia ka goditur fortë ekonominë, 50 mijë vende pune të humbura

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë fjalës së tij në Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë, është shprehur se pandemia Covid-19 e ka goditur fort ekonominë shqiptare.

Sipas saj, kjo bëri që ekonomia të përjetonte ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020.

Gent Sejko: Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020.

Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%.

Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar.

Pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi.

Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm.