Durrës: Në rradhë e grumbull për të marrë para për rindërtimin... apo covidin
Sot është dita e dytë që qytetarët e Durrësit qëndrojnë me orë të tëra në rradhë përpara prefekturës së Durrësit.
Banorët, shtëpiat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 shtatorit, kanë zënë radhë që në orët e para të mëngjesit për të dorëzuar dokumentacionet e nevojshme nga grantet e rindërtimit.
Deri më tani që ora shënon 10:00 e së shtunës, zyra përkatëse nuk është hapur, duke krijuar radhë të gjata dhe shqetësime te qytetarët. Ata dënojnë mungesën e informacionit nga prefektura.
“Kemi ardhur që në orën 5 këtu dhe nuk na kanë dhënë asnjë informacion. Duan të na infektojnë me virus këtu. Çfarë bëhet këtu? Të na thonë të paktën të ikim. Të na thonë të vërtetën që do aplikojmë apo jo”, shprehen ata.
Qytetarët thonë se kanë humbur shpresat për një zgjidhje, ndërkohë që vijojnë të qëndrojnë të presin për dikë që t’u marrë emrin.
“Me këtë milet që është mbledhur këtu… Do rrimë por shpresa nuk kemi. Nuk vjen njeri të na shkruaj emrat. As nuk na japin përgjigje, asgjë. Vetëm rrijmë në rradhë dhe zihemi me njëri-tjetrin. Kam që dje këtu.”
Ndërkohë policia ka krijuar një kordon pranë sporteleve për të mos lejuar grumbullim por jashtë dyerve situata dukej alarmante. Dhjetëra qytetarë ishin ndarë në dy grupe, njëri grup para prefekturës, dhe tjetri para Palatit të Kulturës, Aleksandër Moisiu.
Ende nuk dihet nëse afati për riaplikimin do të shtyhet sërisht ndërsa qindra qytetarë nga i gjithë qarku i durrësit kërkojnë që të marrin grante për të ndërtuar atë që e shkatërroi tërmeti i 26 nëntorit.
Foto: LSA