Megaoperacioni antidrogë në Vlorë/ Në gjykatë 9 persona, mes tyre 5 policë dhe një i mitur
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës kanë mbërritur 9 persona të arrestuar gjatë operacionit antidrogë në qytetin bregdetar.
Për t’u njohur me masën e sigurisë sot janë thirrur 5 efektivë të policisë, një i mitur dhe tre persona të tjerë që janë nën hetim.
Prej efektivëve, dy janë të pezulluar nga detyra, dy të tjerë janë nën masën “Detyrim paraqitje”, ndërkohë që një tjetër është inspektor i pyjores nën hetim.
Mësohet se efektivët që janë prezentë në sallë janë: Arjan Tase, Artur Veshaj, Ilir Kadena, Alem Llanaj. Gjithashtu prezent është edhe Veip Lala kryetar i fshatit Kuç.
Seanca gjyqësore ditën e sotme do të zhvillohen me dyer të mbyllura për shkak se personat janë nën hetim paraprak dhe duhet të ruhen të dhënat e tyre dhe sepse pjesë e seancës është edhe një i mitur. Edhe shpallja e vendimit do të bëhet me dyer të mbyllura nën prezencë të 9 shtetasve për të njëjtat arsye.
Gjyqtarja e çështjes është Elona Mihali, teksa do të zhvillohen tre seanca me nga tre të akuzuar.
Në total si pjesë e operacionit janë arrestuar 47 shtetas, nga këta 32 prej tyre ditën e mërkurë u njohën me masën e sigurisë, ku 27 personave iu caktua masa “Arrest me burg”.
5 shtetas mes tyre dhe një efektivë policie janë ende në arrati, teksa 9 shtetas do të njihen ditën e sotme me masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe pezullim nga detyra dhe një shtetas do ta ketë seancën gjyqësore ditët në vijim.
Më 14 dhjetor policia zhvilloi një aksion të gjerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike në fshatrat e lumit të Vlorës dhe përgjatë bregdetit.
Policia gjithashtu sekuestroi edhe 120.9 kg kanabis sativa të gatshme për tu shitur dhe 12.144 rrënjë bimë.
Mes të arrestuarve ka policë, kryepleq fshatrash si dhe drejtues e efektivë të policisë.
LEXO EDHE: Operacioni anti-drogë/ Gjykata e Vlorës le në burg 27 të arrestuar, njërin “e shpëton” Covid-i