Nga Kukësi në Tiranë me dhjetëra pasaporta dhe patenta të dyshuara falso
Tre persona janë arrestuar sot pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve, pasaportave dhe letërnjoftimeve.
Dy u kapën në makinë
Dy persona janë arrestuar për falsifikim të letërnjoftimeve në një operacion nga forcat “Shqiponja” të konduar “Falsifikatori”
Policia kishte informacione të siguruara në rrugë operative se po lëviznin me mjet nga Kukësi në drejtim të Tiranës.
Të arrestuar janë Lavdrim Syla, 27 vjeç dhe Ruzhdi Hoxha, 39 vjeç, banues në Kukës.
"Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë kanë evidentuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë ndalimin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford Mustang” me drejtues shtetasin R. H. dhe pasagjer shtetasin L. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara" informon policia e Lezhës.
Sipas gazetarit të Ora News, pasaportat ishin të shteteve të ndryshme.
Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Policisë Kukës është ushtruar kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku përsëri janë gjetur letërnjoftime të tilla.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Ford Mustang”, pasaportat, kartat e identitetit dhe lejet e drejtimit të falsifikuara.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave" dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve".
Arrestimi ne Kukes
Po sot mësohet arrestimi në flagrancë i shtetasit K. A., 42 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesë iu gjetën dhe sekuestruan dy dokumente identifikimi italiane me gjeneralitetet dhe fotografinë e tij, të dyshuara të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave".