Apeli në Catania le në fuqi dënimin për Moisi Habilajn, 15 vite burg
Gjykata e Apelit në Katania ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e Moisi Habilajt me 15 vjet e 5 muaj heqje lirie për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria në Siçili.
Avokatët e shqiptarit të akuzuar si drejtues i një rrjeti kriminal që kultivonte kanabis në Vlorë për ta trafikuar më pas në Itali, kishin kërkuar ulje të dënimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë më 19 qershor 2019.
Trupa gjykuese në Apel pasi shqyrtoi pretendimet e palëve vendosi të mos ulë asgjë nga dënimi i dhënë ndaj Habilajt me 15 vjet, 5 muaj e 10 ditë heqje lirie.
Media lokale italiane meridionews, e cila raportoi detaje të procesit hetimor në Itali që në fillesat e çështjes, citon se Gjykatësit e Apelit kanë vendosur të konfirmojnë dënimet e dhëna në Shkallën e Parë edhe ndaj anëtarëve të grupit të drejtuar nga habilaj duke dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg Antonio Rielën, 7 vjet e 4 muaj burg Angelo Buscalën si dhe katër shtetas të tjerë italianë.
Apeli ka dënuar edhe shqiptarët Maridian Sulaj me 8 vjet burg dhe Nezar Seitin me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie.
Ky i fundit u arrestua në Vlorë dhe më pas u ekstradua në Itali pasi akuzohej nga prokuroria si financier i grupit që drejtohej nga Moisi Habilaj, i cili është mbajtur 954 ditë në burg dhe në maj 2020 u la në arrest shtëpie.
Mediat italiane citojnë edhe skandalin politik që shkaktoi arrestimi i Habilajt dhe grupit të tij në Itali duke cituar përgjime nga dosja.
Në këto biseda, sipas hetuesve italianë rezultonte se Moisi Habilaj favorizohej nga policë të korruptuar që nuk preknin parcelat e tij me drogë në Vlorë ndërkohë që lëndën narkotike arrinte ta transportonte në zona të ndryshme të Italisë duke bashkëvepruar me klane kriminale e mafioze lokale.
Mediat citojnë edhe pretendimet e Habilajt për lidhje me ish-ministrin e Brendshëm në Shqipëri Saimir Tahiri për të cilin prokuroria e Katanias vendosi mbylljen e dosjes pas disa muajsh hetime.
(Lajmi u perditësua )
Lexo edhe:
Pjesë e grupit Habilaj, Apeli le në fuqi 10 vite burg për Armand Koçerrin