"Ç’i duam paret kur ne do të vdesim" Qytetarët dynden për grantet e rindërtimit në Durrës, ankohen: S'ka masa anticovid
Banorë të shumtë u grumbulluan që në orët e para të mëngjesit të sotëm para prefekturës së Durrësit.
Pavarësisht masave anticovid, ata zunë radhë për të dorëzuar dokumentet për të përfituar nga grantet e rindërtimit, për banesat e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.
Aplikimet u hapën vetëm për një ditë pa paralajmërim çka bëri që qytetarët të dynden në dyert e institucionit për të përfituar mbështetjen financiare
Disa kishin zënë radhën që në orën 04 00 të mëngjesit por nuk kishin arritur të merrnin as numrin deri në mesditë.
“Kam ardhur që në orën 04:00 të mëngjesit dhe ende nuk kam marrë numrin” thotë një banor.
Kaosi me të cilin u përballën në dyert e institucionit bëri që qytetarët të shpërthenin në kritika ndaj institucioneve në Durrës që sipas tyre u kanë vështirësuar çdo procedurë që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Ka banorë të cilët kanë shkuar tek prefektuar që në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm.
"Jemi në mes të epidemisë dhe po rrijmë grumbull. Vdiqëm, çfarë po bëhet. Po rrijmë nga tre orë në gjynah" thotë një banor tjetër.
Halli thanë se i detyron të neglizhojnë rrezikon e koronavirusit dhe të qëndrojnë grumbull para derës më shpresën se do të arrijnë të përfundojnë aplikimin.
"Po rrijmë por kur të shkojmë në shtëpi do zëmë shtratin. Ç’i duam paret kur ne do të vdesim."
“Qeveria thotë se nuk duhet të rrinë më shumë se 10 veta, këtu janë 500. I kanë lënë aplikimet për të gjithë pallatet në një ditë, sikur nuk kanë tru”
Situata ishte kaotike që në orët e para të mëngjesit, por forcat e Policisë Bashkiake dhe ato të policisë së Shtetit vetëm rreth mesditës u shfaqën në dyert e prefekturës në tentativë për të rregulluar të paktën hyrjen në institicionin
E njëjta situatë ka ndodhur një ditë më parë në Shijak.