Qeveria e quan aksidentale vrasjen e Klodian Rashës. U vra më 8 dhjetor, dëmshpërblimi nis në datë 1
Edhe pse një efektiv policie është në masën e sigurisë “arrest me burg”, për qeverinë, vdekja e 25-vjeçarit Klodian Rasha ka qenë aksidentale.
Kështu thuhet tekstualisht në Vendimin e Këshillit të Ministrave për dëmshpërblimin financiar të familjes së 25-vjeçarit, botuar sot edhe në Fletoren Zyrtare.
“Dhënien e trajtimit të veçantë familjes të të ndjerit Klodian Rasha, i cili, në datën 8.12.2020, humbi jetën aksidentalisht, si pasojë e veprimeve
policore, në masën e tetëfishit të pensionit social, të miratuar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Por një tjetër gafë, e qëllimshme ose jo, është edhe data që qeveria vendos të fuqizojë vendimin: datën 1 dhjetor 2020.
Kujtojmë se, Klodian Rasha u qëllua për vdekje mëngjesin e 8 dhjetorit pranë banesës së tij, në afërsi të rrugës “Dritan Hoxha”.

“Vrasja aksidentale” dhe “data 1 dhjetor” janë thjesht gafa të qeverisë apo mos ndoshta kryeministri Edi Rama, që ka firmosur edhe VKM, kërkon të parashikojë edhe fatin e procesit gjyqësor në ngarkim të efektivit dhe hetimet që vijojnë për ngjarjen në fjalë?…
Për ngjarjen në fjalë prej 6 ditësh tashmë po protestohet në Tiranë e shumë qytete të tjera të vendit, ndërsa ministri i brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.
Mos harrojmë gjithashtu se, menjëherë pasi ngjarja u bë publike, Policia njoftoi në media se i riu ishte me precedentë penalë (fake news), ndërsa më pas se "kishte probleme mendore", edhe ky një fake news.
/a.r, OraNews