Linja 400 kv Shqipëri-Kosovë, Rama: Mbeti peng nga vetoja e Serbisë, ky është Shengeni Ballkanik

Kryeministri, Edi Rama, njoftoi këtë të hënë nisjen e rrjetit të transmetimit elektroenergjitik Shqipëri-Kosovë.

Shefi i qeverisë deklaroi se ky projekt mbeti peng i vetos së Serbisë dhe u bë i mundur falë Shengenit Ballkanik.

Rama: Fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm i jep jetë sot një hapësire të përbashkët të integruar energjetike mbarëshqiptare. Vënia në operim e linjës do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e sistemit shqiptar dhe do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit të OST-së.

Ka qenë shkurti i vitit 2010, pra plot 10 vite më parë, kur qeveria e Shqipërisë ka miratuar një hua për ndërtimin e e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë. Dhe sipas zotimit të ministrit paraardhës linja, e cila do të përfundonte brenda dy vitesh, ‘ishte një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve tona, me potencialin e rregullimit të tregut të energjisë mes dy shteteve dhe më gjerë se kaq në rajon’.

Duke hequr këtë pjesë të fjalës me të cilën pajtohem plotësisht dua të kujtoj se puna nuk filloi kurrë dhe për arsye të mosarsyes që nuk ka nevojë të qëndrojmë këtu gjatë, jo vetëm që asnjë gjë nuk nisi, por sistemi ynë elektroenergjetik vazhdoi të degradoj deri në pikën që u bë një barrë shtypëse mbi shpatullat e shtetit shqiptar e cila rrezikonte ta falimentonte financiarisht Shqipërinë.

Por këtu sot jemi pas 4 vitesh. 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit. Kujtoj që kam qenë i pranishëm së bashku me mikun tim, Isa Mustafa, kur kemi lajmëruar përfundimin e projektit dhe linja nuk u vu në punë për një arsye që duhet thënë sot dhe që mbase u shërben atyre që në mënyrë të verbër kundërshtojnë përpjekjen tonë të vazhdueshme për të integruar qasjen ndaj të ardhmes të krejt rajonit..

Arsyeja ishte vetoja e Serbisë dhe faktikisht linja mbeti peng i një formaliteti në kushtet e mungesës të një vullneti politik. Kosova për 4 vjet nuk mund të merrte një kod transmetimi nga Rrjeti Europian i Autoritetit të Transmetimit sepse pala serbe e pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia. Ky është Shengeni Rajonal. Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe mbeten peng i fjalëve të mëdha, sherreve të mëdha.