"Rrengu në facebook" Si futi në grackë djalin që i përndiqte të bijën. Merret i pandehur babai që dhunoi 18 vjeçarin
Prokuroria e Elbasanit, ka vendosur të marrë të pandehur, Astrit Kushin, babain e 14-vjeçares nga Elbasani, i cili në muajin gusht 2020, mori peng dhe dhunoi fizikisht 18-vjeçarin Luka Haxhiu.
Vendimi, për marjen të pandehur të Kushit, është marë disa ditë më parë nga prokuroria.
Ndërsa për të riun Luka Haxhiu ndaj të cilit prokuroria, ka nisur hetime për akuzën e “Përndjekjes”, gjyqtarja caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pranë policisë gjyqësore.
Gjatë marjes në pyetje i riu Luka Haxhiu, nuk ka pranuar në asnjë moment që të ketë shantazhuar, përndjekur apo krijuar lidhje intime me vajzën 14-vjeçare të Astrit Kushit.
Ndërkohë për marjen peng dhe dhunimin fizik të Luka Haxhiut, në muajin gusht 2020 u shpallën në kërkim nga policia e Elbasanit, Gentian Shara dhe Oligert Kushi, dy miqtë e Astrit Kushit. Sipas dokumentacionit të policisë së Elbasanit, Astrit Kushi, babai i 14-vjeçares, kishte krijuar bindjen se vajza e tij ishte, në një raport intim me Luka Haxhiun.
Për më tepër ai dyshonte shumë se disa sende personale dhe me vlerë që ndodheshin në shtëpinë e tij, ishin zhdukur.
Besohet se këto sende personale të humbura në banesën e tij, i kishte marrë vajza e tij 14-vjeçare duke ja dorëzuar të dashurit të saj 18-vjeçar, Luka Haxhiu.
Deri në këtë fazë të hetimit besohet se Luka ushtronte presion dhe shantazhonte vajzën e mitur në mënyrë që kjo e fundit të merrte para dhe sende me vlerë në banesën e saj, duke ja dorëzuar më pas Lukës.
Nisur nga këto dyshime, babai i 14-vjeçares ka menduar ti ngrejë një rreng 18-vjeçarit Luka Haxhiu. Ai ka hyrë në profilin e vajzës së tij në “FB”, dhe më pas i ka shkruar Luka Haxhiut, duke i kërkuar të takoheshin. I riu ka pranuar, në vendin ku i ka caktuar në facebook, Astrit Kushi. Por ky i fundit nuk ka qenë i vetëm në takim, pasi ka marrë me vete Gentian Sharën dhe Oligert Kushin. Sapo kanë parë 18-vjeçarin Luka Haxhiu, të tre së bashku kanë dalë nga makina e kanë kapur me forcë dhe futur brenda në automjet. Ata e kanë çuar në një ambient larg syrit të kalimtarëve dhe më pas e kanë keqtrajtuar fizikisht. Dhunimi fizik ka qenë i rëndë, saqë mësohet se 18-vjeçari ka shkuar në spital për të marë ndihmë mjekësore.
Ka qenë 18-vjeçari Luka Haxhiu që ka treguar gjithçka i kishte ndodhur. Ai ka pohuar se është marrë peng nga Astrit Kushi babai i vajzës dhe dy miqtë e tij Gentian Shara dhe Oligert Kushi, të cilët mësohet se janë në kërkim nga policia.