Katër orë pritje para spitalit Infektiv për rimbursim ilaçesh, Astrit Plepi kërkon të firmosë dokumentet
Firmosja e dokumenteve për rimbursim ilaçesh nga mjekët e Spitalit Infektiv po has në vështirësi. Disa pacientë thonë se u duhet të presin 4-6 orë për të marrë dokumentin e firmosur. I ngjashëm është edhe rasti i Astrit Plepit nga Fushë Kruja, i cili nuk ka marrë mjekim për rreth 10 ditë.
Astrit Plepi ka ardhur nga Fushë Kruja, ai prej kohësh vuan nga hepatiti viral. Këtë të hënë i është drejtuar Spitalit Infektiv me rekomandim nga spitali i Krujës, por nuk i japin përgjigje.
"Prit thonë se do të japim përgjigje.Duhet të nxjerrin një personel të vetin këtu që të marrin dokumentat."
Plepi thotë se ka një javë që është pa ilaçe.
"Kam kaluar një javë pa marrë mjekimin. Nga Durrësi në Krujë, nga Kruja në Durrës, nga Durrësi prapë në Tiranë."
Pasi Ora News komunikoi me zyrën e informacionit në QSUT, ata na drejtuan përsëri te Spitali Infektiv, për të pritur edhe kush e di se sa për plotësimin e këtyre dokumenteve.
Si zgjidhje më e shpejtë ju drejtuam mjekut që trajton zotin Plepi.
Pas shumë bisedimeve, koordinatorja e Spitalit Infektiv mori në dorëzim rekomandimin e Astritit.
Me gjithë ndërhyrjet e Ora News, zotërisë ju deshën rreth 4 orë të merrte dokumentet e nevojshme për medikamentet më të cilat kurohet, por ai pohon se ka pasur raste që ka pritur edhe më gjatë.
"U realizua pas katër orësh, ky problem është gjithmonë. Ka pas raste që kam pritur 5-6 orë."
Astrit Plepi nuk ishte i vetmi që kishte këtë problem. Jashtë Spitalit Infektiv prisnin edhe pacientë të tjerë që prej orës 8:30.
Disa shërbime shëndetësore në spitalet universitare gjatë periudhës së pandemisë janë zhvendosur në ato rajonale, ose kanë ndryshuar procedurat.
Kjo ka bërë që në disa raste pacientët të hasen me vështirësi të ndryshme.