Kamioni me drogë drejt Malit të Zi, shkon në 4 numri i të arrestuarve, pranga bashkëpunëtorit nga Tirana

Policia e Shkodrës  në kuadër të operacionit të  koduar “Bozhaj”,  ka arrestuar një tjetër person, që ka lidhje transportimin lëndë narkotike me kamion  nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së në 3 nëntor të këtij viti, duke e çuar në 4  numrin e të arrestuarve.

Në pranga ka rënë 32-vjeçari E. P., banues në lagjen Yrshek, Katund i Ri, Tiranë,  i cili ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në transportimin e sasisë së madhe të lëndës narkotike..

Në njoftimin e policisë thuhet se ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet si një nga bashkëpunëtorët në ngjarjen e datës 03.11.2020, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ku ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë automjeti kamion me drejtues shtetasin shqiptar E. C., 40 vjeç dhe në afërsi të qytetit të Tuzit, Mal i Zi, strukturat e antikontrabandës malazeze gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, kanë gjetur një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa.Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 07.12.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.